Ylli i Napolit, Victor Osimhen ka stërvitur i vetmuar sot për shkak të një gripi, por pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në Serie A kundër Cagliarit.
Osimhen nuk u stërvit sot me bashkëlojtarët e tij te Napoli, dhe lajmin e ka konfirmuar vetë kampioni italian përmes një komunikate.
25 vjeçari ushtroi vetëm në fitnes dhe jo në fushë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Cyril Ngonge u stërvit i vetëm në fushë dhe në fitnes për shkak të një lëndimi të lehtë.
Osimhen shënoi gol në barazimin 1:1 kundër Barcelonës në ndeshjen e parë të raundit të 16-të të Ligës së Kampionëve të mërkurën.
Sipas “Sky Sport Italia”, nigeriani nuk rrezikon të humbasë ndeshjen e radhës në Serie A kundër Cagliarit të Claudio Ranierit të dielën, më 25 shkurt, pavarësisht se nuk u stërvit me shokët e tij sot.
Osimhen është rikthyer së fundmi nga detyra ndërkombëtare në AFCON dhe ndeshja kundër Barcelonës ishte paraqitja e tij e parë në nivel klubi në vitin 2024.
25-vjeçari ka shënuar nëntë gola në 19 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.