Ballina Kulturë Proza tregimtare greke

Proza tregimtare greke

50
0

Nga Elbion Vranishti 

Kohët e fundit qarkulloi nga Shtëpia Botuese “Literatus” e Selanikut përmbledhja antologjike dhe bibliografike “Proza tregimtare greke” (530 faqe, format i madh) përgatitur nga Stavri J. Dajo në të cilën përmblidhen 78 tregimtarë bashkëkohorë grekë me 92 tregime; marrin pjesë 38 përkthyes; 34 janë përkthime tregimesh të reja, botuar për herë të parë dhe 27 të ribotuara dhe të rivështruara: 20 tregime të përkthyera janë vjelë nga botime të ndryshme antologjike ose jo, dhe 40 nga periodiku shqiptar përgjatë kohërave, që nga viti 1923 deri në ditët tona; 16 nga shtypi i paraluftës dhe 24 nga periodiku i pasluftës, kryesisht nga revista “Nëntori” dhe gazeta “Drita”, organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1945-1991), me shqipërime të mjeshtreve të mëdhenj të përkthimit si Dhimitër Falo, Sterjo Spasse, Petro Marko, Spiro Çomora, Spiro Xhai, Vasil Koçi, Aleks Çaçit, Llambro Ruci etj.
Në përmbledhje janë evidentuar 388 zëra bibliografikë që lidhen vetëm me autorët ose përthyesit që janë përmbledhur në vëllimin e pranishëm.
Nga parathënia e përgatitësit mësojmë se antologjia është fryt i një pune shumëvjeçare kërkimore, shkencore dhe bibliografike dhe mundi përkthimor i një grupi pune në drejtimin e tij. Për hartimin e antologjisë janë kontrolluar 122 tituj periodikë të paraluftës dhe 38 të pasluftës, janë konsultuar të gjitha botimet bibliografikë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (1912-2004).
Botimi antologjik u blatohet përkthyesve të letërsisë bashkëkohore greke në shqip në fill të kohërave.

Interesi i lexuesit shqiptar për qytetërimin grek, në përgjithësi, dhe për letërsinë artistike, në veçanti, –poezi dhe prozë– zë fill para Rilindjes Kombëtare, me shqipërimet Vangjel Meksit (1827) dhe sidomos me veprimtarinë përkthimore të përkthyesit dhe gjuhëtarit Kostandin Kristoforidhi (1827-1895). Përkthimet e hershme të literaturës së huaj në shqip dëshmojnë se ato nisin në një masë të madhe me tekste nga gjuha greke dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me fqinjësinë gjeografike të dy vendeve, por dhe me të vërtetat diakronike që mbart kultura greke, me cilësinë e lartë estetike dhe stilistike të saj si dhe me sinkretizmin shpirtëror të dy popujve të moçëm të Ballkanit, që bashkëjetojnë për tre mijëvjeçarë.
Përkthimi i letërsisë së mirëfilltë greke fillon me themeluesin e gjuhës letrare kombëtare shqipe Naim Frashërin, i cili shqipëroi pjesë nga rapsoditë e Homerit, por shkroi dhe vetë dy vëllime poetike të rëndësishme në gjuhën greke. Përndryshe, Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, me kulturë të spikatur greke dhe njohës i thellë i saj, nga e cila u ndikua jo vetëm si burrë shteti, por edhe si dijetar e intelektual, dha një shembull të vyer me gazetën e vet Selamet/Shpëtimi/Σωτηρία (1901-1903) me botimin në dy gjuhë, shqip (vetëm faqja e fundit) dhe greqisht. Pra, dy nga burrat më të shquar të themelimit të Shqipërisë së re, të politikës dhe të kulturës së saj kombëtare, Ismail Qemali dhe Naim Frashëri qenë dhe protagonistët e parë në njohjen e ndërsjellë të të dy kulturave kombëtare.
Një emër i veçantë në kolanën e përkthyesve të letërsisë greke, Dhimitër Falo, i cili meriton vëmendje të posaçme, evokohet si një nga intelektualët më të kultivuar të viteve ’20-’30, me një ndihmesë të paçmuar në fushë të dijes dhe përkthimit të letërsive të huaja. Botoi shkrime në revistat letrare të kohës si “Minerva” dhe “Illyria” dhe përkthime në “Gazeta e Korçës”, “Jeta dhe kultura”, etj. Më 26 korrik 1944, i zënë në pusi, u vra barbarisht nga komunistët shqiptarë. Pa ekzagjerim, Dhimitër Falo mund të kualifikohet përkrah përkthyesve të ndritur bashkëkohës të tij: Sotir Cacit, Dhimitër Paskos, Fan Nolit, Vedat Kokonës etj. Dija filologjike shqiptare është deficitare në studimin e rolit dhe veprës së Dhimitër Falos si përkthyes.
Në vitet ’30 u vu re një përpjekje e dyanshme për të forcuar lidhjet kulturore midis dy popujve dhe në këtë suazë edhe një lëvizje ngazëlluese mbarëballkanike për të promovuar kandidaturën e poetit grek Kostis Palamas për çmimin Nobel. Gjergji Fishta (Palamas-i i Shqipërisë) dhe miku personal i shkrimtarit grek bashkë me shumë shkrimtarë të tjerë të njohur kërkuan kualifikimin e kandidaturës greke të Palamas-it. Takimi i dy shkrimtarëve në Athinë, më 7 tetor 1930, gjeti një jehonë të madhe në shtyp. Më 10 tetor 1930 gazeta Eleftheron Vima botonte një shkrim dorëlëshuar me lëvdata për poetin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Fishta, dhe anasjelltas gazeta Demokratia, (Gjirokastër), i përgjigjej me një shkrim po kaq lavdërues për Kostis Palamas-in, në atë kohë President i Akademisë së Shkencave të Greqisë. Respektivisht shkrimtari i shquar grek. Në vitet ´80 Christoforos Milionis (në antologji përfaqësohet me tregimin “Frini”) me artikujt e tij në shtypin grek kërkonte që Ismail Kadareje të merrte një çmim evropian, pse jo dhe çmimin Nobel.
Në vitet ’30 letërsia greke zinte, bashkë me shkrimtarin e shquar bullgari Elin Pelin, vendin e parë në përkthimet e periodikut shqiptar.
Pas vitit 1945, Greqia dhe Shqipëria u takonin dy kampeve të ndryshme politike, ideologjike dhe ushtarake, Greqia-perëndimit, Shqipëria-lindjes. Kësisoj, edhe pse Shqipërinë dhe Greqinë i ndante një vijë ndarëse kufitare, shpesh njohja e letërsive kombëtare e të dy vendeve bëhej me ndërmjetësimin e Moskës dhe të Parisit: Menalaos Lountemis erdhi në Shqipëri me përkthimin nga rusishtja të Spiro Mitrushit, po kështu Mitsos Alexandropoulos, përkthyer nga Mina Qirici, ndërsa librat e Ismail Kadaresë u botuan në Greqi të përkthyera nga frëngjishtja, pasi ishin botuar më parë në Francë. Në këtë periudhë për shkak të kufizimeve ideologjike letërsia e re greke nuk u përfaqësua me vlerat e saj të vërteta.
Rënia e perdes (vet)izoluese të Shqipërisë dhe sidomos emigrimi masiv solli si një ndër pasojat njohjen më të mirë nga shqiptarët të qytetërimit grek, teksa, dora-dorës, një plejadë nxënësish dhe studentësh shqiptarë mbaruan shkolla të larta greke dhe u bënë bartës të rinj të vlerave shpirtërore të të dyja kulturave.
Evidentohen një sërë përkthimesh dhe po afirmohet një brez i ri shqipëruesish, nga dy rezervuarë: nga minoriteti grek në Shqipëri, dhe nga intelektualë shqiptarë të emigruar në Greqi.
Kryet e vendit e zë vepra e Nikos Kazantzakis-it, 25 regjistrime, 34 Kostas Varnalis, 24 regjistrime, Antonis Samarakis, 19 regjistrime etj.
Vëllimi i pranishëm antologjik përmbledh prozë tregimtare të afirmuar dhe të përmendur nga studimet akademike greke dhe sidomos që evidentohet si e tillë në ndërgjegjen shpirtërore të lexuesit; përndryshe, përmblidhen dhe ato tregime që janë bërë pronë shpirtërore edhe e lexuesit shqiptar nga botimet e periodikut përgjatë viteve. Për këtë arsye, përveç shqipërimeve të reja veprash të dalluara të kohës, autori ka zgjedhur dhe botimet më të spikatura të së kaluarës në shtypin shqiptar. Më anë tjetër, tregime të këtij karakteri si të Christos Christovasilis-it, ‘Vllamërija’, Th. D. Moschonas-it, ‘Besa e shqiptarit’ dhe Kostas Krystallis ‘Tabloja’ janë përmbledhur sepse dëshmojnë kujdesin e botuesve të të dy vendeve për të nxjerrë në pah vlerat më të mira morale të të dy popujve.
Përkthimi i tekstit burimor është bërë vetëm nga origjinali dhe jo nga gjuhë të dyta, me përjashtim përkthimet e dy emrave të nderuar të përkthimtarisë, Enver Fico nga Gjirokastra dhe Mina Qirici nga Leskoviku –me ndjeshmëri ndaj vlerave të kulturës shpirtërore të popullit grek, përkthime që dëshmojnë nivel të lartë cilësor dhe si të tillë janë afirmuar në ndërgjegjen estetike të lexuesit.
Vlen të theksohet një veçori e këtij vëllimi se në të janë përmbledhur përkthime nga të dyja kryedialektet, toskë edhe gegë, siç ishin botuar në krye të herës, ku vihet re bukuria e përnjëmend e të dyjave dhe sidomos begatia leksikore dhe figurative e gegërishtes, e cila është paragjykuar në ndonjë rast. Kësisoj, ky botim antologjik mund të shërbejë edhe si laborator për përkthyesit e rinj të letërsisë, pasi akumulon një përvojë gati shekullore në përkthimin e letërsisë artistike greke.
Proza e re greke, thesar i vyer shpirtëror i popullit grek, ka fituar me të drejtë njohje dhe nderim jashtë kufijve të Greqisë, çka e dëshmojnë studimet helenistike kudo në botë, por edhe çmimet ndërkombëtare që ka merituar; në të njëjtën kohë, përmes shqipërimeve u bë dhe vlerë dhe kënaqësi estetike edhe për lexuesin shqiptar. Kjo prozë e përmasave të mëdha në të gjitha strukturat e saj është bartëse e mesazheve gjithëkohore, e predikimeve me vlerë gjithënjerëzore, e përjetimeve estetike vibruese, por edhe të brishta, e brendive meditative të thukëta, me pasuri stilesh dhe shestimesh, mjetesh dhe figurash artistike, karakteresh të papërsëritshme dhe e teknikave të artit letrar nga më të arrirat në botë. Ndaj kjo letërsi pëlqehet në të gjithë rruzullin dhe ka vlerë universale. Prandaj edhe lexuesi shqiptar gjithmonë e ka pritur me interes të veçantë çdo fakt letrar nga Greqia; besojmë se edhe ky vëllim faqeshumë i Stavri Dajos do të pritet me po kaq kureshti dhe interes nga ai.
Së shpejti në Tiranë do të bëhet prezantimi i Antologjisë.