Ballina Rajoni Takimi i Dodik me Putin, DASH: Ai është i izoluar nga komuniteti...

Takimi i Dodik me Putin, DASH: Ai është i izoluar nga komuniteti euroatlantik

93
0

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, ka thënë se vizita e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, në Rusi është e fundit e një seri shembujsh se ai është i izoluar nga komuniteti euroatlantik.

Dodik, këtë javë, vizitoi Rusinë, madje u takua – për 10 minuta – edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Duke folur për këtë vizitë, në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se beson se askush nuk duhet t’i jap Putin-it një platformë për të promovuar agresionin e tij kundër Ukrainës, të nisur dy vjet më parë, konkretisht më 24 shkurt të vitit 2022.

“Ne gjithashtu do të mbajmë përgjegjës individë dhe institucione që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Bosnje e Hercegovinës”, deklaroi ai.

Miller theksoi se SHBA-të janë me popullin e Bosnje e Hercegovinës dhe mbështesin sigurinë dhe të ardhmen e begatë të këtij shteti në komunitetin euroatlantik.

Dodik, më 21 shkurt, është takuar me Presidentin e Federatës Ruser Putin, në Kazan, të cilit i ka thënë se RS refuzon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pavarësisht, siç thekson ai, “presioneve të përditshme”.

Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, presidentit rus i ka thënë edhe se vendi i tij nuk dëshiron të anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

“Ne konfirmojmë marrëdhëniet e mira që RS ka dhe kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë në rrethanat aktuale është se ne refuzojmë çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë”, ka thënë Dodik, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai ka potencuar se marrëdhëniet në BeH janë “të komplikuara” nga, siç pretendon ai, “fakti që ne jemi ende nën protektoratin e Perëndimit”, dhe ai përsëriti pretendimet e tij të mëparshme – për të cilat ai ka mbështetjen ruse – se Përfaqësuesi i Lartë aktual në BeH, Christian Schmidt, “nuk u emërua në atë detyrë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”

Autoritari Dodik, ka folur gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe kjo, sipas tij, “e bën situatën më të lehtë” për RS.

Nga ana tjetër, presidenti autoritar rus Putin, ka vlerësuar se vizita e Dodik-ut do të jetë “e dobishme”, pasi që ai i është mirënjohës për mbajtjen e kontakteve të rregullta dhe se marrëdhëniet midis Rusisë dhe RS-së janë konstruktive.

“Përfaqësuesit e udhëheqjes së Republikës Srpska na vizitojnë rregullisht dhe bashkëpunojnë me ne në fusha të ndryshme. Jam i sigurt se kjo vizitë e juaja do të jetë gjithashtu e dobishme dhe se ne do të mund të shfrytëzojmë kohën për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe në një gamë të tërë fusha”, tha Putin.

Në fillim të takimit, Putin tha se “Rusia e di se situata nuk është e thjeshtë”.

Siç është raportuar nga Radio Televizioni i Republikës Srpska, Putini i dorëzoi Dodik-ut “Urdhrin e Aleksandër Nevskit”, me të cilin iu dha në qershor të vitit të kaluar “për kontributin e tij në zhvillimin e bashkëpunimit midis Federatës Ruse dhe Bosnje e Hercegovinës” dhe “forcimin e partneriteti me Republika Srpska”.

Ndryshe, që nga pushtimi rus i Ukrainës që filloi më 24 shkurt të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuara kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Federatës Ruse.

Bosnje e Hercegovina – për shkak të vetos që përdor RS në presidencën trepalëshe (serbe, kroate dhe boshnjake) – është një nga vendet e pakta, së bashku me Serbinë, që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë.

Ndërsa, ky takim i Dodik-ut me Putin-it është i katërti që nga pushtimi rus i Ukrainës.