Ballina Bota Ushtria amerikane po gjurmon “një objekt të çuditshëm” në hapësirën ajrore të...

Ushtria amerikane po gjurmon “një objekt të çuditshëm” në hapësirën ajrore të SHBA-së

104
0

Avionët luftarakë amerikanë po gjurmojnë një objekt të çuditshëm që është duke lëvizur në lartësi të mëdha mbi pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, por zyrtarët thanë se nuk ka asnjë rrezik për askënd as në tokë dhe as në ajër.

Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) tha se bëhet fjalë për “balonë të vogël” që shtyhet nga era në një lartësi prej rreth 14 kilometrash.

Avionët luftarakë u dërguan për të kapur balonën mbi shtetin e Jutës dhe “vlerësuan se nuk ishte e manovrueshme dhe nuk paraqiste një kërcënim për sigurinë kombëtare”, thuhet në një deklarate të Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.

Ushtria amerikane tha se do të vazhdojë të gjurmojë balonën dhe se është në kontakt me Administratën Federale të Aviacionit “për të garantuar sigurinë e komunikacionit ajror”.

Që nga e premtja vonë, Administrata Federale e Aviacionit “vlerësoi gjithashtu se balona nuk përbënte rrezik” për avionët e pasagjerëve ose aeroplanët e tjerë në zonë, thuhet në deklaratën e Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.

Ushtria amerikane ka vëzhguar qiejt brenda dhe përreth Shteteve të Bashkuara më nga afër pas zbulimit të një balone spiune kineze që kaloi mbi territorin e vendit në shkurt 2023.

Zyrtarët kinezë thanë se ajo ishte balonë metereologjike dhe kishte “devijuar nga kursi i planifikuar”. Por Pentagoni i hodhi poshtë këto pohime, duke thënë se balona ishte projektuar për përgjim të aktiviteteve në tokë.

Incidenti rriti tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe madje bëri që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të anulonte një udhëtim në Pekin për t’u takuar me udhëheqësin kinez Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë.

Shtetet e Bashkuara përfundimisht rrëzuan balonën kineze në brigjet e Karolinës së Jugut, pasi ajo kishte udhëtuar në pjesën më të madhe të territorit të Shteteve të Bashkuara.

Pas incidentit, Shtetet e Bashkuara morën masa për të përmirësuar aftësitë e zbulimit të objekteve në hapësirën ajrore të vendit.