Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është shprehur se me ligjin e ri për zonat e mbrojtura, nuk lëviz asgjë nga perimetri apo sipërfaqja e tyre.
Komentet Kumbaro i bëri në një emision televiziv, ku tha se ky ligj krijon instrumenta për mënyrën sesi njerëzit duhet të jetojnë apo përshtaten me këto zona.
Ajo tha gjithashtu se nëse qeveria do të donte t’i shkatërronte zonat e mbrojtura, nuk do të ndërmerrte nisma si ajo e mbrojtjes së lumit Vjosa, që sipas saj, janë në shërbim të këtyre hapsirave.
“Nuk lëviz asgjë nga perimetri apo sipërfaqja aktuale e zonave të mbrojtura. Por pajisen bashkitë, ministria, bizneset dhe komuniteti që jeton brenda këtyre zonave, me instrumenta shumë më konkret sesi duhet të jetojnë. Parimet europiane thonë se nuk ka receta në zonat e mbrojtura të njëjta në të gjithë botën. Po ashtu nuk mund të ketë rregulla të njëjta nëse një zonë e mbrojtur ndodhet në një mal, në një pyll, apo buzë lumit. Për të treguar vullnetin e kësaj qeverie dhe për t’i kthyer përgjigje pyetjes tuaj, të cilën e quaj pyetje provokuese, po të kishim qëllim të shkatërronim nuk kalonim me vendim të qeverisë nga 17.5 % e territorit në 21.5 %. Nuk merrnim atë vendimin për lumin Vjosa, që është lumi i vetëm i egër në Europë. Në të gjithë vendet e Europës kanë bërë rritje ekonomike duke përdorur pasuritë natyrore.”, tha Kumbaro.