Ballina Aktualitet Rasti i Qynos, reagon Unioni i Gazetarëve: Gjykata minoi kurajon e çdo...

Rasti i Qynos, reagon Unioni i Gazetarëve: Gjykata minoi kurajon e çdo gazetari, morët vendim vetëgoditës

70
0

Vendimi zhgënjyes i marë 5 ditë më parë nga Gjykata e Lartë, që ligjëroi sekuestrimin e paisjeve elektronike dhe kontrollet në banesë, kontrollin fizik në trup, kontrollin e zyrës, kontrollin e makinës dhe kontrollin e një lokali, ku gazetari kishte lënë në ruajtje telefonat, ka sjellë reagimin e fortë të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH), ka shprehur keqardhjen dhe zhgënjimin, duke i rikujtuar Gjykatës së Lartë, se ky vendim ka pasoja ndikuese për treguesit e lirisë së raportimit në mediat shqiptare.

UGSH, fton të gjithë gazetarët dhe organizatat që menjëherë pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata e Lartë, të bëhen pjesë e një reagimi të fuqishëm në një protestë në mbrojtje të lirisë dhe garancisë së ushtrimit të misionit tonë publik e profesional.

Sipas UGSH, Gjykata e Lartë ka krijuar një precedent të rrezikshëm, pasi kjo praktikë ligjore shkakton pasoja censuruese dhe vetëcensuruese.

“…vendimi i Gjykatës së Lartë, minon kurajon e çdo gazetari, për të folur dhe investiguar në mënyrë të pavarur për ngjarje dhe realitete të egra kriminale…”-shprehet Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

”…vendimi i pazbardhur i Gjykatës së Lartë përligj dhe mishëron një standart të dyfishtë mes rastit në fjalë dhe më herët, në vitin 2021, ndaj portalit “Lapsi.al”.

Ky vendim është rast vetëgoditës për pjestarët e kësaj trupe gjyqësore dhe krijon premisa të plota legjitimuese për praktika që cënojnë rëndë reporterët dhe burimet e tyre në procesin raportues dhe investigues…”-deklaron UGSH.

UGSH në deklaratën e tij shprehet se:
“…Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është vënë në dijeni se Gjykata e Lartë, në datën 20 Shkurt 2024, (sipas përfaqësuesit ligjor të rastit të gazetarit Elton Qyno), ka legjitimuar sekuestrimin e mjeteve të punës dhe sendeve personale të këtij gazetari, nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ky vendim, ende i pazbardhur, ka shkaktuar habi dhe keqardhje të madhe mes anëtarësisë së organizatës sonë profesionale. Përmes tij është goditur rëndë parimi i konfidencialitetit të burimeve dhe lirisë vetëinformuese të gazetarit në detyrë.

Lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Apelit, duke e shpallur të ligjshëm sekuestrimin e paisjeve të gazetarit, përbën një precedent të rrezikshëm, pasi kjo praktikë ligjore shkakton pasoja censuruese dhe vetëcensuruese, minon kurajon e çdo gazetari për të folur dhe investiguar në mënyrë të pavarur për ngjarje dhe realitete të egra kriminale.

Vendimi i pazbardhur i Gjykatës së Lartë përligj dhe mishëron një standart të dyfishtë mes rastit në fjalë dhe më herët, në vitin 2021, ndaj portalit “Lapsi.al”.

Ky vendim është rast vetëgoditës për pjestarët e kësaj trupe gjyqësore dhe krijon premisa të plota legjitimuese për praktika që cënojnë rëndë reporterët dhe burimet e tyre në procesin raportues dhe investigues.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të pajustifikuar faktin që rasti i gazetarit Qyno edhe pse nuk konfirmohet për status vijues “nën hetim”, ka pasoja ndikuese për treguesit e lirisë së raportimit në mediat shqiptare.

UGSH, në pritje të zbardhjes së vendimit gjyqësor, fton gjithë organizatat dhe gazetarët të bëhen pjesë e një reagimi të fuqishëm.

Ditën e publikimit të këtij vendimi nga Gjykata e Lartë, UGSH ju fton të gjithëve në një protestë në mbrojtje të lirisë dhe garancisë së ushtrimit të misionit tonë publik e profesional….”.

Në rastin e gazetarëve të “Lapsi.al”, Gjykata e Lartë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mori një vendim njësues të praktikës gjyqësore për të mbrojtur në të ardhmen të gjithë gazetarët nga sekuestrimi abuziv i mjeteve elektronike.

Ky vendim u botua edhe në Fletoren Zyrtare në pranverën e vitit 2022 dhe kishte forcën e ligjit.

Pas dy vitesh, në rastin e parë që u paraqit për zbatim, vetë Gjykata e Lartë, dhe vetë tre nga pesë gjyqtarët që ishin autorë të vendimit njësues për “Lapsi.al”, tërhoqën mbrapsht të gjithë standardet që kishin vendosur, për ti hapur rrugë sërisht abuzimit, i cili në rastin e gazetarit Elton Qyno, ishte aq i rëndë sa alarmoi edhe Komitetin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Ky vendim i paprecedent në historinë e Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi hapur standardet e veta dhe ato ndërkombëtare, është rast vetëgoditës për pjestarët e kësaj trupe gjyqësore dhe krijon premisa të plota legjitimuese për praktika që cënojnë rëndë reporterët dhe burimet e tyre në procesin raportues dhe investigues.
Gazetaria dhe raportimi i drejtë nuk është krim.