Ballina Kronika Paralajmërim për familjarët? Dy javë më parë vrau fqinjin për një vend...

Paralajmërim për familjarët? Dy javë më parë vrau fqinjin për një vend parkimi, sot Ilir Koçiljas iu vu tritol në banesë

73
0

Një shpërthim më lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme (26 shkurt) në lagjen numër.4 të Durrësit.

Mësohet se tritoli i është vënë banesës së shtetasit Ilir Koçilja, i cili pak ditë më parë goditi me thikë për vdekje shtetasin, Halil Koka, me pretendimin se i zinte oborrin e pallatit duke parkuar makinën e tij.

Në polici, Kocilja është shprehur se nuk kishte pasur për qëllim të vriste fqinjin e tij dhe ka menduar se vetëm e ka plagosur.

Policia e Durrësit deklaroi pas ngjarjes se 35-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor, konkretisht nga skizofrenia.

Hetuesit në Durrës duke se tashmë e kanë të qartë se Halil Koka u vra pa faj, vetëm se kishte debatuar me fqinjin e tij që vuante nga probleme të theksuara mendore.

Gjatë marrjes në pyetje, 35-vjeçari, Ilir Koçilja është shprehur se sherri kishte nisur para disa ditësh për një vend parkimi në rrugicën e lagjes. Ndërsa mesditën e mërkurës ai e priti fqinjin sapo doli nga pallati dhe e ndoqi me thikë në dorë derisa i mori jetën.

“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që të mos e linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta. Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gërvishtur makinën time . Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë.

Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagja në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh ne bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheha për disa orë te lagja 11 deri sa më kapet ju. Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për atë që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili”, – ka deklaruar ndër të tjera Ilir Koçilja.

Fqinjët tregojnë se 35-vjecari ishte person problematik dhe konfliktual. Policia e Durrësit zyrtarisht deklaron se Koçilja vuan nga problemet e shëndetit mendor, konkretisht nga skizofrenia. 35- vjeçari jetonte i vetëm në katin e parë të një pallati në lagjen nr. 14 të qytetit bregdetar.

Ndërsa familjarët e tij ndodhen në SHBA. Shpesh shtrohej në psikiatrinë e Elbasanit, ku e mbanin përkohësisht dhe sërish lëvizte lirshëm nëpër Durrës. Mesditën e 14 shkurtit ai goditi me thikë në zemër 46-vjeçarin Halil Koka, të cilin e ndoqi nga pas për disa metra nga hyrja e pallatit deri në rrugën kryesore. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Kaçilja i kishte para dhe nuk pranonte t’i shlyente, por autori e ka mohuar këtë konflikt gjatë dëshmisë së tij në policinë e Durrësit.

Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve.