Ballina Aktualitet E akuzuar për korrupsion, zbardhet vendimi i KPK për gjyqtaren Mimoza Margjeka

E akuzuar për korrupsion, zbardhet vendimi i KPK për gjyqtaren Mimoza Margjeka

75
0

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së parë në Durrës, Mimoza Margjeka.

Sipas njoftimit të publikuar nga KPK, vendimi u mor nga trupi gjykues i i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, Roland Ilia relator, Suela Zhegu anëtare.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 26 shkurt për subjektin e rivlerësimit,  Mimoza Margjeka, bazuar në ligj vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mimoza Margjeka, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, njofton KPK.

“Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, Roland Ilia relator, Suela Zhegu anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, vijon njoftimi.

Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, u dënua se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec.

Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, si dhe u caktua në provë për 3 vjet. Po ashtu, iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar.