Nga Adi Darsi
Viti 1921 mes shumë ngjarjeve të tjera duhet të mbahet mend edhe si pikënisja e industrisë shqiptare të alkoolit. Me një përdorim të gjerë në jetën e përditshme alkooli prodhohet duke përdorur si lëndë të parë misrin, pataten, panxharin, frutat etj. Duke qenë se këto gjendeshin me shumicë në vend industrialistët e parë investuan në ndërtimin e fabrikave të alkoolit.
Fabrikën e parë e ndërtuan Vëllezërit Nikaj në Shkodër që më 1921. Aksionerë ishin edhe vëllezërit Sali Mehmeti si edhe Kol Pashkja, por ata më vonë u larguan.
Më 1923, Siri Bej Vlora ngre fabrikën e dytë në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë. Ajo njihej me emrin Distileria Skanderbeg. Në mars 1929 fabrika u ble nga vëllezërit italianë Vincenzo e Roberto Alegro.
Fabrika më e madhe e alkoolit në vend ishte ajo e Shqoërisë Anonime Mërkur që u ngrit në prill 1926 në Korçë. Aksionerët e mëdhenj të saj ishin Pando Mulla dhe Llambi Mano.
Më 1927 u ngrit në Elbasan nga Ligor Nosi një tjetër fabrikë alkooli.
Një fabrikë e pestë është ngritur 10 vjet më vonë në Shkodër nga aksionerët Shkreli e Koliqi. Ajo e kishte kapacitetin 800 kg alkool ne 24 orë.
Sipas statistikave të kohës më 1930 nga 347.5 ton alkool 96 gradësh të prodhuar gjisthsej: 158 ton i prodhoi Shoqëria Mërkur, 53.5 ton Fabrika e Ligor Nosit në Elbasan, 62 ton Distileria Skënderbeg në Vlorë dhe 74 ton Fabrika e Vëllezërve Nikaj në Shkodër.
Më 23 shkurt 1930 katër fabrikat bashkohen dhe krijojnë kartelin e parë industrial në historinë e ekonomisë shqiptare. Karteli me qendër në Durrës, ndau kuotat e prodhimir dhe zonat e shitjes për secilën fabrikë. Karteli mbante llogari të detajuara për kostot e prodhimit mbi bazën e të cilave caktonte çmimet e shitjes. Ja vlen të shohim përllogaritjet e bëra në atë kohë.
Kostot e prodhimit për 100 kg alkool: 4 kv misër-80 franga ar, acide-3.5 franga ar, lëndë djegëse-15 franga ar, fuqi punëtore-19.5 franga ar, amortizim paisjesh 40-franga ar, transport-3 franga ar, fucitë-6 franga ar. Kostoja e prodhimit në fabrikë gjithsej – 167 franga ar. Në vijim:
Çmimi i shitjes 350 franga ar, kosto prodhimi 167 franga ar, tatimi 96 franga ar, fitimi bruto 87 franga ar, shpenzimet e shitjes 43.5 franga ar, fitimi neto 43.5 franga ar.
Në foto: Pamje e brendshme e Fabrikës së Alkoolit ‘Mërkur’ Korçë.