Ballina Opinion Muli kërkon qeveri teknike sepse Berisha ka në plan të bojkotojë zgjedhjet...

Muli kërkon qeveri teknike sepse Berisha ka në plan të bojkotojë zgjedhjet e 2025-ës

49
0

Nga Carlo Bollino

Tashmë i bindur për një humbje elektorale të re (deri më tani e parashikuar edhe nga të gjithë sondazhet), grupi i Rithemelimit po përgatitet të bojkotojë edhe zgjedhjet e 2025-ës. Berisha është i vetëdijshëm (dhe në këtë pikë ai nuk gabon) se mënyra e vetme për të mos humbur një garë është që të mos marrë pjesë. Problemi është si të shkarkojë fajin për këtë zgjedhje mbi qeverinë, në mënyrë që të mund të paraqitet para pakicës së vogël që ende beson në përrallat e tij, si viktimë e një komploti anglo-rama-amerikan. Idenë e ka nisur Muli, një nga strategët e fundit që kanë mbetur në grupin e tij, sepse bashkë me Edi Palokën, ende mbart një fare masë muskulare të domosdoshme për të kryer urdhrat politike të doktorit. Ideja u shpall dje pas një takimi të Rithemelimit: Nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike!!

Prandaj, ëndrra e vjetër e Sali Berishës (dhe njëherësh edhe e Lulzim Bashës) për të futur në dhomat e pushtetit jo pasi ka fituar zgjedhjet politike, por para se të kish votuar, po rikthehet. Muli ëndërron shoferin që i sjell përsëri zarfat brenda ministrisë, Belo fantazon për tenderat që më ne fund mund të ndajnë, ndërsa familja Berisha planifikon se si të shpëtojë nga SPAK duke zënë një pozicion pushteti. Qeverinë teknike të majit 2017 e kujtojmë të gjithë: rikthyer për disa muaj në ekzekutiv krah socialistëve, basha-berishianët u përfshinë shpejt në një seri emërimesh dhe tenderash skandaloze si asnjëherë as më parë se 2013. Nga ajo përvojë totalisht e dështuar ka mbetur si simbol i kompromisit vetëm Erinda Ballanca, e cila mbeti avokatja e Berishës edhe pas emërimit si Avokate e Popullit.

Berisha dhe Basha kishin kërkuar në marrëveshje Ministrinë e Brendshme me bindjen se në këtë mënyrë mund të pengonin mashtrimet e imagjinuara dhe kështu të siguronin një fitore të thellë. Rezultati ishte një fitore e re e thellë e Partisë Socialiste, e cila për të siguruar shumicën nuk kishte më nevojë as për një aleancë me Ilir Metën. Përkundrazi, ndoshta fitoi pikërisht për këtë arsye. Para evidencës së humbjes dhe të frustruar nga roli i opozitës, Partia Demokratike mori rrugën e vetëvrasjes politike, duke braktisur fillimisht parlamentin dhe më pas zgjedhjet lokale të mëvonshme që siguroi se nuk do të zhvilloheshin kurrë pa ta. Natyrisht, u votua rregullisht, megjithëse pa pjesëmarrjen e çiftit Berisha-Basha, dhe si rezultat, Edi Rama dyfishoi pushtetin e tij sepse përveç pushtetit qendror fitoi shumicën absolute edhe në pushtetin vendor.