Ballina Sport “Tripletë” e Dybalas, Roma sheh nga Europa, mund Torinon

“Tripletë” e Dybalas, Roma sheh nga Europa, mund Torinon

87
0

Roma duket se ka ndryshuar fytyrë, që prej ardhjes së De Rossit në stol. Ecuria e mirë në kampionat dhe kualifikimi në Europa League ndaj Feyenoord ka rikthyer entuziazmin tek tifozët, teksa sonte në “Olimpico”, ekipi mundi 3-2 Torinon në Serie A. Trajneri i skuadrës kryeqytetase, De Rossi preferoi një rotacion në formacion, teksa në 11-shen titullare mungonin Lukaku apo El Shaarawy. Skuadra “Granata” ushtroi presion në minutat e para, duke vendosur jo pak në vështirësi portierin Svilar.

Vendasit ndëshkuan torinezët me anë të Dybalas, i cili ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 42-të. E menjëhershme ishte përgjigja e kundërshtarit, me Zapata-n. Një goditje kirurgjikale e Dybalas i mahniti të gjithë në minutën e 58-të, me stadiumin që shpërtheu në festë, e më të drejtë.

I sapo futur në fushë, Lukaku shërbeu për Dybalan në të 69-tën, me argjentinasin që kompletoi tripletën. Djemtë e Juric ngushtuan shifrat në fund  pas një autogoli të Huijsen,pa mundur dot të ndryshojnë fatin e takimit. Roma kështu fiton terren në garën për Europën, aktualisht renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë.