Ballina Sport Zhgënjen Tirana, Laçi barazon me 10 lojtarë. Vllaznia mposht Dinamon

Zhgënjen Tirana, Laçi barazon me 10 lojtarë. Vllaznia mposht Dinamon

161
0

Tirana zhgënjen sërish në kampionat. Bardheblutë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Laçit në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Superiore.

Pavarësisht se nga minuta e 20-të, Tirana luajti me një lojtar më shumë, nuk ia doli të fitojë dot.

Paulo Junior u ndëshkua me të kuq dhe kjo bëri të mendohej se kryeqytetasit do e kishin të lehtë, por nuk ndodhi kështu.

Lushkja zhbllokoi sfidën në minutë e 53-të, duke i dhënë avantazhin Tiranës, por Myrta, i sapo futur në fushë, barazoi shifrat në minutën e 78-të.

Me këtë barazim, Tirana mban vendin e katërt me 35 pikë, ndërsa Laçi renditet i shtati me 30 pikë.

Vllaznia është ngjitur në vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore, pasi ka mundur me rezultatin 1-0 Dinamon në ndeshjen e sotme në ”Niko Dovana”.

Në fakt, kanë qenë blutë më kërkues që në startin e ndeshjes, teksa shkodranët mbroheshin me rregull për të thumbuar me kundërsulme. Por sapo gjetën mundësinë, ata nuk gabuan, duke kaluar në avantazh me një gjuajtje mjeshtërore të Alivodës i cili dërgoi topin aty ku Sali nuk mund të arrinte.

Në vijimin e ndeshjes, dy skuadrat nuk u kursyen në aksionet sulmuese, me raste në të dy portat ku Mëhidri e Sali u bënë protagonistë me ndërhyrjet e tyre. Edhe traversa ndihmoi shkodranët, të cilët rezistuan përballë furisë dinamovite që nuk u ndal as kur blutë mbetën me 10 lojtarë pas të kuqit të Hoxhës.

Në fund, vërshëllima e gjyqtarit Cjapi mbylli një ndeshje argëtuese që ngjiti Vllazninë në vendin e dytë në renditje, teksa Dinamo tani është me pikë të barabarta me Tiranën, me të cilën ndan vendin e katërt dhe të pestë në klasifikim.