Ballina Opinion Dibra ka nevojë për njerëz në mejdan e jo për “galloshe” alias...

Dibra ka nevojë për njerëz në mejdan e jo për “galloshe” alias sharlatan

182
0

Nga Abdurrahim Ashiku

Një inxhinier nafte  redaktor i një libri për Skavicës !!!

E si mund të redaktojë Sazan Guri një punim të Akademikut dibran Adem Bunguri, ta cungojë studimin e tij shkencor në “10 faqe libri”- kusht i vendosur nga nismëtarët e librit për çdo autor?
Si mund të redaktojë e sjellë në “10 faqe” punimet e dr. prof. Nazmi Koçit, Bashkim Lleshit, Vesel Hoxhës, Ferzilete Gjikës,  Selami Nazifit, Ahmet Shehut, Murat Koltrakës, Bujar Karoshit, Ali Hoxhës, Margarita Markes, Adriatik Ballës, Agim Kasës, Marjana Bulkut, Bashkim Mashkullit, Mustafa Tolës, Miranda Derti Troci etj., etj. një njeri që gjuhën shqipe e shkruan me 34 germa me kulturë gramatikore të shtatëvjeçares?

Në Dibër nuk është koha për libra.
Nuk është koha për sesione shkencore.
Nuk është koha për dublantë, “galloshe”.
Dibra ka nevojë për njerëz në mejdan
Jo për “galloshe” alias sharlatan…

*              *              *

Dibra merr argat vetëm kur prashit misrin.
I merr me kthim.
Merr dhe jep.
Merr edhe kur pret qerpiçë, edhe kur ngreh çati, edhe…
I merr pa kthim.
me shpirt, solidarë…
Merr dhe jep…
Arsyen dhe format i di çdo dibran…
Por…
Ka kajde e kajde…
Zëra të largët më vijnë në vesh se një shoqatë e nderuar ka vendosur të botojë një libër për Skavicën (!)
E përshëndes!
E shkruara mbetet…
Edhe kur germat radhitën në letër “ditën e parë”…
Edhe kur radhiten si kujtim “ditën e mortit”…
Për “ditën e parë” ka një zë të lartë dibran fiksuar në një kronikë këtu e gjashtëmbëdhjetë vite larg (nëntor 2008).
…“Në Peshkopi (sipas gazetarit Hasan Pasha) qindra banorë të Dibrës, kryesisht të komunës së Fushë-Çidhnës, u mblodhën në një protestë kundër ndërtimit të HC të Skavicës…
Në krye të protestës qëndronin drejtuesit e shoqatës “Drini i zi” Nazmi Drizi, Sadin Përnezha, drejtues të komunës së Fushë-Çidhnës, banorë të fshatrave që përmbyten, qytetarë të Peshkopisë etj.
Në parulla shkruhej  “Dibra përmbytet”, “Ndal projektit italian”, “Përmbyten 6800 hektarë tokë”, “Jo Hidrocentralit të Skavicës”.
Pena të Dibrës… Ali Hoxha, Bujar Karoshi, Argëtim Fida, Murat Koltraka, Haki Kola, Halim Lala, Linda Cami, Shaqir Skara, gazeta “Rruga e Arbërit” etj. bashkuan firmat në një libër, librin “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”
Kryeministri i atëhershëm që deklaronte se “Unë di të ndërtoj vepra të mëdha” dhe se “Shqipëria ka të gjitha potencialet për të ndërtuar këtë vepër të mrekullueshme”… në pesë vjet të mëtejshëm në krye të shtetit nuk e bëri.
Nuk mundi ta bënte…
E donte me shpirt.
Nuk kishte kryqe…
Haki Kola (i ndjerë) asokohe të më shkruante: “Të jesh i bindur se është shakaja e radhës, si me energjinë atomike, apo me të tjera. Ai mund të bëjë punishte të thjeshta si e Gërdecit, por jo gjëra kaq të komplikuara, pasi ndërron mendje, i prish duke i inauguruar pa pritur të bëhen, kur ai donë…” (Po Dibrës! Jo Skavicës f.171)
Dy shoqatat e “Intelektualëve dibranë (njëra “nderim djathtas” e tjetra “nderim majtas”) nuk bëzanë…
E kishin mbushur “gojën me ujë”…
Më 25 nëntor 2008 Xhemal Mato, ekolog i shquar, më shkruante…
“Përshëndetje Abdurahim,
E lexova shkrimin tuaj dhe problemi mu duk shumë i rëndësishëm dhe kompleks. Unë vetë mësova shumë gjëra dhe kuptova që pak e njoh problematikën që do të sjellë ndërtimi i Skavicës. Mendoj se intelektualët e zonës së Dibrës duhet të kërkojnë vlerësimin mjedisor që është bërë për këtë projekt (është e drejta e tyre dhe detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës)
Gjithashtu me ligj ata kanë të drejtë ta anulojnë në se nuk janë dakord dhe argumentojnë ato që ju përmendni me të drejtë.
Kjo është rruga ligjore por si e dini edhe ju, ligjet shpërfillen në këtë drejtim në Shqipëri, kështu që ngel hapi i dytë gjyqi i cili gjithashtu nuk fitohet kollaj dhe s’e merr përsipër ta bëjë një grup i pa bashkuar shpesh i pamotivuar në ndërgjegje.
Së fundi është gjyqi publik të cilin ju jeni duke e bërë por këtu të gjithë që janë dakord me ju duhet ta bëjnë dhe unë tashmë rreshtohem pas jush.” (Xhemal Mato f. 153-154)

Gjyqi…”që nuk fitohet kollaj”tashmë, me mendësi intelektuale, është në Gjykatën Kushtetuese…
Kanë ndërruar krah edhe qetë në parmendën intelektuale.
Ata të “nderimit djathtas” bëjnë humor me kokën lart në ballkonin e tetë të rrugës Mustafa Matohiti…
Ata të “nderimit majtas” fërgojnë sytë në zgjim.
Kanë vendosur të bëjnë “Një konferencë shkencore mbi HEC Skavica”. Është miratuar edhe grupi i punës me emra të njohur personalitetesh publike e shkencore, emra mjaft të vonë në betejën jetësore për mbrojtjen e Dibrës, emra që (megjithatë) duhen përshëndetur se gjetën forcën,  rrugën e drejtë për t’i rënë me grusht “malit që s’bëzan”…
Kanë vendosur të botojnë edhe një libër.
Libri, sipas informacioneve që kam, ka në krye një njeri që kurrë në jetën e tij nuk është gdhi në një odë dibrane në luginën e Drinit të Zi, një njeri me profesion inxhinier kërkimi nafte (!)
Të ishte inxhinier kërkimi apo shfrytëzimi kromi që një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kaluar maleve e galerive të Dibrës ( Inxhinier si Martin Cukalla që kur i vinte në dorë një “gurë që lëshon xixa” në shpirt i vinin duzina me poezi) fjala vjen, do ta pranoja me kënaqësi por një inxhinier nafte të zezë me emrin Sazan Guri nuk mund ta pranoj.
Sazan Gurit me titujt e lartë Dr. Prof… sajuar në kushedi ç’kuzhinë qoftesh publike me patate, që del çdo natë televizioneve publike për të mbrojtur vetveten si i përfolur sharlatan, dhe për çfarë, për gjuhën shqipe (!), Sazan Gurit të kudondodhur ngrehur mbi gurë të lartë në Bënjë të Përmetit, në liqenin e Tiranës, në Vjosë, në aeroportin e Vlorës, në Setë të Dibrës, madje edhe dritare më dritare të televizioneve për “mbrojtjen e Dibrës”, humbës i gjithë kauzave për mbrojtjen e mjedisit shqiptar?
Sazan Gurin nuk e pranoj të grumbullojë, të redaktojë, të bëjë parathënie, prapa thënie, të presë fjalë, fjali, reshta, paragrafë… t’i japë “formë” një libri për “HEC-in e Skavicës” që për kushedi çfarë interesash xhepi e ka marrë dhe ia kanë dhënë.
E si mund të redaktojë Sazan Guri një punim shkencor të Akademikut dibran Adem Bunguri, ta cungojë studimin e tij shkencor në “10 faqe libri”- kusht i vendosur nga nismëtarët e librit për çdo autor?
Si mund të redaktojë e sjellë në “10 faqe” punimet e dr. prof. Nazmi Koçit, Bashkim Lleshit, Vesel Hoxhës, Ferzilete Gjikës, Selami Nazifit, Ahmet Shehut, Murat Koltrakës, Bujar Karoshit, Ali Hoxhës, Margarita Markes, Adriatik Ballës, Agim Kasës, Marjana Bulkut, Bashkim Mashkullit, Mustafa Tolës, Miranda Derti Troci, Selman Mëziut, Munir Hoxhës etj., etj. një njeri që gjuhën shqipe e shkruan me 34 germa me kulturë gramatikore të shtatëvjeçares?
Dibra ka pranuar argat, por ARGAT  me germa kapitale. Ka marrë veçanërisht në fund të viteve ’40-të kur kishte nevojë të jashtëzakonshme  për të mësuar shkrim e këndim, kur luftonte kundër analfabetizmit (Unë në Brezhdan kam pas në vitet 1948-1952 një mësues nga Përmeti, një mësuese nga Berati, një mësues nga Shkodra, dhe një mësues nga Elbasani). Ka marrë edhe në vitet e mëvonshme, deri në vitin 1990, intelektualë të kromit, gjeologjisë, bujqësisë, arsimit, gjuhëve të huaja, artit, kulturës.
Janë nder i Dibrës. I kanë qëndruar besnikërisht afër dhe kanë bërë vepra për të.
Dibrës i kanë sjellë edhe “galloshe”, siç i quante me qesëndi dublantët e Ramizit, galloshe për t’i mësuar si “milet lopa”, si nxahet kosi”,  si “zihet grosha”!!!
Tash Dibra ka intelektualët e vet, njerëz të shkencës e të dijes.

Në Dibër nuk është koha për libra.
Nuk është koha për sesione shkencore.
Nuk është koha për dublantë, “galloshe”.
Dibra ka nevojë për njerëz në mejdan,
Jo për “galloshe” alias sharlatan…

A e kapët “fluturimthi” Blinke-n në intervistën me Ramën?
Hidro – energjinë e vuri të parën si burim për energjinë e së ardhmes.
Dhe energjia e ujit, të parë e të vetmin burim të madh, ka Drinin e Zi, hurdhën e Skavicës, mbytjen e Dibrës përgjithmonë…
Dhe kompania për ndërtimin e Skavicës është Amerikane (!)
Tundeni kokën fort.
“Rekuiemi për Dibrën” ka hap faqet e para të një libri të kobshëm.
Ndalini dorën Edi Ramës…
Mos e lejoni.
Është amanet i të parëve…
Edhe i imi…