Greva e punëtorëve teknikë dhe atyre fizikë në Universitetin e Prishtinës dhe në Qendrën Studentore në Prishtinë, po vazhdon edhe sot.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka postua një fotografi, duke shkruar “Ja sa respektohet ligji i grevave në Qendrën Studentore”.
Përndryshe, kjo sindikatë dje ka raportuar se zyrtarë të administratës së Qendrës Studentore, iu turren grevistëve, ku shefat e konvikteve me drejtorin e strehimit, Isak Beha kërkuan që së paku nga 2 orë të punohet gjatë ditës. Kurse, më vonë gjatë ditës iu është kërkuar grevistëve ta lirojnë sallën dhe të dalin jashtë.
Sipas sindikatës, edhe në Fakultetin Filologjik, Prodekani i këtij fakulteti kërkoi nga 150 grevistë që të lirohet salla, ndërsa, administrata e rektoratit po bën presion tek grevistët që ata të fillojnë punën.
“Me tenderin e hapur sot, Rektorati ka ofru një rritje të pagës prej vetëm 40 euro, kurse kërkesa jonë ka qenë 100 euro”, thuhet në njoftim.