Ballina Aktualitet Nga mirëqeverisja, te komunikimi publik e ekonomia e qëndrueshme, Shqipëria rritet në...

Nga mirëqeverisja, te komunikimi publik e ekonomia e qëndrueshme, Shqipëria rritet në indeksin e ndikimit në arenën ndërkombëtare

109
0

Shqipëria rritet me 16 vende në indeksin e “Fuqive të Buta Globale” të organizatës ndërkombëtare të vlerësimit të brandeve “Brand Finance” me seli në Londër.

Në indeksin e vitit 2024, Shqipëria renditet në vendin e 92 nga 193 vende të përfshira në indeks, ndërsa në indeksin e vitit 2023 gjendej 16 vende më poshtë, në vendin e 108.

Koncepti i “fuqive të buta” i referohet aftësisë së shteteve për të influencuar aktorë të ndryshëm në arenën ndërkombëtare, përmes bindjes dhe jo detyrimit, ndërkohë që indeksi mat se sa ndikojnë tek kjo aftësi e shtetit, shtyllat kryesore si qëndrueshmëria ekonomike, qeverisja, komunikimi, marrëdhëniet ndërkombëtare etj.

Raporti thekson se komponenti i “ekonomisë së fortë dhe të qëndrueshme” shfaqet si shtytësi kryesor i ndikimit të një shteti dhe që ndikon në formimin e brandit të tij kombëtar.

Për sa i takon sferës së ndikimit, Shqipëria është rritur me 15 vende në indeksin e 2024. Nga vendi i 114 në indeksin e vitit të kaluar, Shqipëria u ngjit në vendin e 99-të.

Rritja e përgjithshme e Shqipërisë është përcaktuar nga tregues dhe parametra si marrëdhëniet ndërkombëtare, qeverisja, edukimi dhe shkenca, kultura dhe trashëgimia, media dhe komunikimi efektiv.

Kështu, Shqipëria është rritur me 4 vende në shtyllën e qeverisjes. Nga vendi i 85 në indeksin e vjetshëm, Shqipëria shkon në vendin e 81. Ky komponent përfshin mirëqeverisjen dhe stabilitetin politik, standardet e larta etike dhe korrupsionin e ulët, sigurinë, respektin për të drejtat e njeriut.

“Media dhe Komunikimi” është një shtyllë ku vendi ynë është rritur me 30 vende. Nga vendi 94, Shqipëria ngjitet në vendin e 64, mes 193 vendeve të vlerësuara. Kjo rritje është nxitur nga faktorë si lehtësia dhe efektiviteti në komunikimin publik, ndjekja e çështjeve me interes, besueshmëria në media.

Raporti vlerëson se ka disa arsye për rëndësinë e “Indeksit të Fuqisë së Butë” në ekonominë, tregtinë dhe investimet. Një nga aspektet themelore qëndron në ndërtimin e besimit dhe krijimin e një reputacioni pozitiv për vendin në skenën ndërkombëtare.

Për shtyllën “Tregtia dhe biznesi”, Shqipëria u rrit me 10 vende, duke kaluar nga vendi 104 në indeksin e 2023, në vendin 94 në indeksin e 2024, e nxitur nga faktorë si ekonomia e qëndrueshme dhe e fortë, lehtësia e të bërit biznes, potenciali i rritjes në të ardhmen.

Raporti thekson se “ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të nxitur nga një rikthim i fortë në turizëm dhe se perspektivat ekonomike të Shqipërisë pritet të mbeten pozitive në vitet në vijim”.

Nga ana tjetër, raporti e klasifikon Shqipërinë në toplistën e 5 vendeve me rritjen më të shpejtë të vlerës së brandit kombëtar. Shqipëria shënon rritje prej 28%, pak pas Meksikës (+29%) në terma relativë, edhe pse më modeste në vlerë absolute. Edhe Ukraina është në top listë me një rritje prej 20 % të vlerës së brandit kombëtar.

Rritja e Shqipërisë vijon me 22 vende në kulturë dhe trashëgimi, duke kaluar nga vendi i 105 në 83. Edukimi dhe shkenca pësoi rritje me 18 vende, ku nga vendi 78, Shqipëria shkon në vendin 60 për faktorë si sistemi i fortë i edukimit, lidershipi në teknologji dhe inovacion.

Kanadaja ka ruajtur titullin e saj si marka kombëtare më e fortë në botë për të tretin vit radhazi. Kanadaja ndërkombëtarisht perceptohet si ekonomi e fortë dhe vlerësohet shumë për standardet e saj të jetesës. Kombi gjithashtu krenohet me një popullsi të larmishme kulturore dhe një nga sistemet arsimore më të mira në botë, faktorë që kontribuojnë që vendi të kryesojë renditjen për fuqinë e brandit kombëtar.