Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë thënë ‘po’ propozimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelesnky për të bashkëprodhuar municione për të furnizuar Ukrainën, e cila ndodhet nën agresionin rus prej 2 vitesh. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë se nuk ka qenë vetëm Shqipëria që ka rënë dakord me këtë propozim, ndërsa theksoi se gjithçka do ta bëjnë në bashkëpunim me aleatët.
“Propozimi i Zelenskyt nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi. Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, e dimë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje si çdo kush tjetër dhe gjitha që mund të bëjmë në këtë drejtim do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë me aleatët tanë dhe jo me të tjerët”, tha Rama në konferencën për shtyp me komisionierin Varhelyi pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Kreu i qeverisë thotë synon që të futen edhe vetë në këtë industri dhe po punojnë për të gjetur partnerët dhe marrëveshjen e duhur. Sipas Ramës do duhet të rigjallërohet infrastruktura e vjetër për prodhimin e municioneve. Është ende e paqartë se ku konsiston, prodhimi i përbashkët i armatimit, por nuk përjashtohet mundësia që mund të futet në lojë, fabrika e Poliçanit.
“Sa i takon industrisë ushtarake dhe prodhimit të armëve, ne, Serbia, Bosnja, apo Kroacia nuk kemi një industri prodhuese të mjeteve ushtarake. Duam ta kemi së pari për veten tonë. Kemi punuar dhe po punojmë që të gjejmë marrëveshjen e duhur, partnerët e duhur, të ringjallim infrastrukturën tonë të vjetër”, u shpreh kryeministri.