Shqipëria do të kthehet në një fabrikë armatimi për Ukrainën. Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë samitit në Tiranë deklaroi se ka firmosur një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për prodhim armësh dhe municioni, duke dhënë sinjale se te ne do nisë prodhimi i armatimeve.
Në fakt ai që i ka vënë vulën është ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ka pranuar se do të ringrihen uzinat e dikurshme.
Por a i ka kapacitetet sot Shqipëria për të prodhuar armë luftarake?
Kësaj pyetjeje iu përgjigj në një intervistë televizive, ish-Koloneli Dilaver Goxhaj.
“I kemi ne uzinat, por i kemi si karabina. Këto duhet të kenë dhe mjetet për t’i prodhuar. Dhe ne i kemi shitur për skrap.
Që ta ngresh nga e para këtë industri duhet të sigurosh mjetet e nevojshme. Ne nuk kemi asnjë minierë dhe uzinë çeliku, pra nuk prodhojmë as hekur dhe as çelik.
Që do të thotë ne duhet të blejmë edhe aparaturat, edhe mjetet, por edhe lëndën e parë, pasi nuk i ke.
Së dyti, Shqipëria i ka pasur këto uzina dhe fabrika, por duhet përgatitur edhe kuadri i punonjësve dhe i personeli. Kush do t’i përdorë këto armë?
Ndaj deri sa t’i realizojmë ne këto do ketë mbaruar lufta në Ukrainë. Ne jo vetëm punëtorë që nuk kemi, por as inxhinierë.
Ndaj për momentin më duket si deklaratë politike, dhe nuk i vijmë dot në ndihmë Ukrainës”, u shpreh ndër të tjera ish-ushtaraku Goxhaj.