Ballina Aktualitet Naço ‘shuplakë’ ministrisë së Mbrojtjes: Burokratët e Peleshit e kanë më të...

Naço ‘shuplakë’ ministrisë së Mbrojtjes: Burokratët e Peleshit e kanë më të lehtë të çojnë makineritë për skrap sesa…

46
0

Vizita e presidentit Zelensky në Tiranë ka shkaktuar mjaft polemika në arenën politike e jo vetëm pasi çështja e riaktivizimit të industisë së prodhimit të armëve prej tre ditësh është kthyer në fokusin e temës së ditës.

Në tetor 2023, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço përmes kësaj kërkese për interprelancë, pyeste ministrin e Mbrotjes Niko Peleshi, nëse kishte ardhur koha që Shqipëria të prodhonte armë, dhe a mund të jepeshin uzinat me koncesion. Por çfarë fshihet pas kësaj kërkese të firmosur 5 muaj më parë?

“Unë besoj që ka ardhur koha për ta rivënë në punë. Jo vetëm në Polican, por edhe Gramshi, Mjekësi në Elbasan”.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, nënvizon se në rajonin tonë, të gjithë prodhojnë vec nesh.

“Vetëm Shqipëria është në konservim. Dhe është fatkeqësi për burokratët e ministrisë së Mbrojtjes që nuk mendojnë që ta rivënë në punë. Në 30 vite kanë menduar për të zbrazur depot e ndërtuara para viteve ‘90″

Por si duhet t’i prodhojë Shqipëria armët? Vetë shteti, apo t’i jepet privatit?

“Unë besoj që mënyrat janë të ndryshme, i takon këtyre burokratëve të ministrisë së Mbrojtjes për ta zgjidhur. Për sa kohë të gjitha vendet e tjera e kanë të zgjidhur qoftë shtetëror qoftë në bashkëpunim shtet privat, apo duke e dhënë me koncesion.

Naço zbulon se ka pasur kompani private të cilat janë interesuar për të investuar në këtë sektor, por kanë dështuar, e për këtë deputeti socialist fajëson ministrinë e Peleshit.

“Ka dhjeta kërkesa për ta marrë me koncesion, kompanitë kanë qenë të huaja dhe vendase dhe ju takon këtyre burokratëve të zbatojnë ligjin, t’i kërkojnë dhe të zgjedhin. Jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që sot nuk  prodhojmë asnjë fishek. Unë nuk pretendoj që burokratët e kësaj ministrie të prodhojnë dronë.”

Sipas deputetit socialist, ky investim nuk vlen vetëm për sigurinë, por edhe për ekonominë.

“Industria ushtarake është fitimprurëse. Fiton shtetit, fitojnë të gjithë ata qytetarë që do vihen në punë, përfiton industria ushtarake për nevojat tona të mbrojtjes, apo për t’i shitur. Nuk kërkojmë asgjë më shumë”.

Nëse prodhojmë armë, ato Ukrainës do t’i dhurohen, ose shiten, por këtë, do ta vendosë dikush tjetër.

“I besoj vizionit të kryeministrit në këtë drejtim dhe deklaratave të tij”.

I interesuar më së pari për zonën që përfaqëson, Policanin, Naço thekson se banorët aty po e presin me interes të lartë riaktivizimin e fabrikës.

“Jam deputet i zonës, ata njerëz presin atje që të rivihet në punë, i kanë të gjitha kapacitetet. Këta e kanë më të lehtë ta shesin, ta çmontojnë dhe ta demontojnë për skrap, se sa ta rivendosin në punë dhe kjo s’ka asnjë fjalë tjetër se sa ‘burokratë’ ”.

I vetëdijshëm për rriskun që mbajnë këto investime, kryetari i komisionit të sigurisë kombëtare, nuk do të shohë asnjë skenar fatkeq si ai i Gërdecit.