Ballina Rajoni Pendarovski shpall kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

Pendarovski shpall kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

61
0

Presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Pendarovski tha se kandidaturën e shpalli pas mbështetjes publike që ka marrë nga qytetarë të shumtë dhe personalitete të ndryshme për t’u nominuar edhe për një mandat në krye të shtetit.

Kandidatura e tij do të ketë mbështetjen edhe të Lidhjes Social Demokrate (LSDM)në pushtet, e cila edhe e kishte zgjedhur si kandidat për president para pesë vjetësh.

“Arsyeja e parë e kandidimit është se po e përfundoj mandatin e presidentit pa asnjë aferë korruptive, pa asnjë gabim strategjik, asnjë rast të nepotizmit lidhur me familjen apo bashkëpunëtorët e mi”, theksoi Pendarovski.

‘’Marrëdhëniet ndëretnike mbeten shtylla e kohezionit dhe e stabilitetit të brendshëm, andaj edhe kërkoi mbështetjen e të gjitha bashkësive etnike në zgjedhjet presidenciale. Unë jam maqedonas, por në këto pesë vjet të mandatit tim nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që përkatësia ime etnike të ketë qenë arsyeje që dikë ta favorizoj apo degradoj”, theksoi Pendarovski.

Përveç Pendarovskit, kandidaturat për zgjedhjet presidenciale i kanë shpallur edhe tetë kandidatë të tjerë, por prej tyre deri tani 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për të marrë pjesë në garën zgjedhore i kanë grumbulluar Bujar Osmani, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arben Taravari, kandidat i opozitës së bashkuar shqiptare, Biljana Vankovska nga partia E Majta dhe Maksim Dimitrievski nga Partia ZNAM (Për Maqedoninë tonë).

VMRO DPMNE-ja, në opozitë, kandidaturën e Biljana Siljanovska-Davkovës do të shpallë të shtunën, më 2 mars. Afati i paraqitjes së kandidaturave për zgjedhjet presidenciale skadon më 8 mars.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy raunde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj./ REL