Kapiteni Besart Ahmeti, shef i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është shpallur në kërkim nga Rusia.
Burimet e medias bëjnë të ditur se ndaj Ahmetit, Rusia ka lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.
Fletarresti ndaj tij vjen pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë, por edhe pjesëmarrjen e tij në të gjitha aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës.
Ahmeti është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2001.
Rusia njihet për urdhra arresti ndaj shumë personaliteteve të cilët e kundërshtojnë regjimin e Vladimir Putinit. Më shumë se 100 mijë persona janë në listën sekrete të të kërkuarve nga Rusia.
Deri më tani prokurorët rusë kanë lëshuar urdhra arresti për qindra të huaj, duke përfshirë kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe senatorin amerikan Lindsey Graham, zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut dhe madje edhe zëdhënësin e kompanisë së mediave sociale Meta.
Këto urdhërarreste përfshijnë luftëtarë të huaj që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, zyrtarë ukrainas dhe ligjvënës në shtetet baltike që votuan për heqjen e memorialeve sovjetike të Luftës së Dytë Botërore.