Valencia dhe Real Madrid barazuan dje 2-2 në La Liga. Sfida e “Mestallas” ishte dramatike, me arbitrin Gili Manzano që mori vëmendjen në sekondat e fundit, duke mbyllur ndeshjen në aksionin që Real Madrid shënoi golin e tretë.
Fakt është se fërshëllima e trefishtë e arbitrit u dëgjua 2 sekonda para se topi të dërgohej në rrjetë nga Bellingham, me anglezin që s’i mbajti nervat dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Në lidhje me këtë situatë Real Madrid lëshoi një deklaratë zyrtare, duke thënë se ndeshja u vendos nga arbitri.
“Një vendim i paprecedentë i Gil Manzanos pengoi fitoren e Real Madridit ndaj Valencias në ‘Mestalla’. Me rezultatin 2-2 në aksionin e fundit të ndeshjes, Brahim krosoi brenda zonës dhe Bellingham e finalizoi me një goditje me kokë duke e dërguar rezultatin në 2-3. Por gjyqtari e anuloi golin duke sinjalizuar fundin e ndeshjes, teksa topi ishte në ajër.
Liderët e ligës merituan tri pikët, por siguruan vetëm një në një ndeshje ku ishin duke humbur 2-0. Dy gola nga Vinicius barazuan ndeshjen e cila u vendos me vendimin e Gil Manzanos”, ishte reagimi i Real Madridit.