Nga Namir Lapardhaja
Takimi pak ditë më parë i dy përfaqësuesve të Rithemelimit me deputetin grek të Janinës, i dha ‘rezultatet’ ditën e sotme, ku gazeta greke “Ta Nea” ka sulmuar drejtpërdrejt drejtuesen e GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila veç çështjes së Fredi Bejlerit, ka edhe atë të Kompleksit “Partizani”.
Është e qartë që kemi të bëjmë me një histori të pastër shantazhi ndaj sistemit të drejtësisë, një ndër akuzat për të cilat Sali Berisha u dizenjua nga SHBA-të si person ‘Non Grata’.
Ky sulm i medias greke, më shumë se sa për Berishën, bëhet për Fredi Bejlerin, ndërkohë që në Shqipëri ka si synim të hedhë baltë mbi gjyqtaren e Gykatës së Posaçme, të ulë besueshmërinë e publikut te drejtësia dhe të dekurajojë në tërësi sistemin e drejtësisë për të mos guxuar të merret me politikanë të nivelit të lartë.
Të bashkëpunosh me deputetë të Greqisë për të sulmuar gjyqtaren e ‘shpallur’ armike për shkak të detyrës së saj, jo vetëm që nuk është e moralshme, por është e dënueshme.
Ashtu sikurse nuk ka kontribut më të madh që mund të bëhet për Edi Ramën, që të duket ‘patriot’ dhe i mirë në sytë e shqiptarëve kur vjen rasti te “Himara” apo te çështja “Bejleri”, krahasuar me këta që bashkëpunojnë edhe me dajllin në dëm të shqiptarisë.
Ndaj njerëzit dhe shqiptarët nuk i besojnë, sepse, nga njëra anë, shpresojnë që Edi Rama dhe ministrat e tij të shkojnë në bankën e të akuzuarëve, ndërsa, nga ana tjetër, mëngjes e mbrëmje sulmojnë SPAK-un dhe GJKKO-në, të cilët janë të vetmet struktura që mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Nga njëra anë e akuzojnë Ramën si ‘argatin e Beogradit’, kurse vetë bashkëpunojnë me ata që janë investuar historikisht në dëm të interesit kombëtar.
Ndaj duhet një politikë përtej Berishës dhe Ramës dhe filozofisë së tyre për të sakrifikuar gjithçka në funksion të pushtetit personal.
Ndaj, duam apo nuk duam, na pëlqen ose jo, Partia Demokratike sot është i vetmi organizëm politik që i jep mbështetje të pakushtëzuar drejtësisë, SPAK-ut dhe GJKKO-së, sepse këto dy struktura janë mekanizmat e vetëm që mund ta bëjnë ndryshimin rrënjësor në Shqipëri, duke çuar përpara drejtësisë çdo politikan të korruptuar dhe duke ushtruar presionin e domosdoshëm për të garantuar nesër një garë të lirë dhe të ndershme. TemA