Ballina Opinion Të vërtetat pse PD është sot në këtë gjendje

Të vërtetat pse PD është sot në këtë gjendje

54
0

Njoh shumë demokratë të cilët shumë  e shumë më herët kanë menduar dhe janë shprehur se në PD nuk ka pasur liri mendimi, por ka pasur frymë servilizmi, vigjilence  e spiunllëku kundër atyre që mendonin ndryshe nga ish-lideri  i PD-së për lirinë, për demokracinë, për të djathtën e vërtetë, për luftën kundër korrupsionit, për drejtësinë, për qeverisjen dhe për meritokracinë. Demokratët sot duhet t’i njohin, analizojnë  dhe t’i pranojnë të vërtetat, shkaqet dhe arsyet se përse PD mbërriti këtu ku është sot. Nuk mund të justifikohet gjendja e saj sot me fantazira, akuza e me lloj-lloj alibirash për të gjetur se kush është fajtori. Faji nuk është  vetëm i njërit, por faji është i shumë individëve të cilët e kanë shfrytëzuar dhe që ta shfrytëzojnë PD-në për interesa personale. Të vërtetat se pse PD e Shqipërisë është në këtë gjendje janë trashëgimia komuniste, autokracia, korrupsioni dhe servilizmi. Duhet që çdo anëtar i Partisë Demokratike  ta ngrejë zërin për të thënë me guxim dhe hapur të vërtetat se përse Partia Demokratike dhe opozita ndodhen sot kështu dhe pse ajo arriti deri  në këtë gjendje. Demokratëve u duhet thënë e vërteta, atë të vërtetë që po e nxjerr në dritë çdo ditë e më shumë koha. Demokracia është liri dhe hapje rruge për më të mirën,dhe jo pengim e bllokim. Edhe nëse ke ndonjë meritë politike, kjo nuk do të thotë se për “hatër” të asaj merite nuk duhet të largohesh e të dorëhiqesh kur e shikon se bëhesh pengesë, dhe kur gjërat nuk funksionojnë si duhet. Po pse akoma nuk është kuptuar nga shumë demokratë se Edi Rama po vazhdon të qeveris prej faktit të gjendjes së mjerueshme ku paria e PD-së e ka katandisur PD-në? Po pse duhet që demokratët të sakrifikojnë  për  individë të veçantë, për interesat e tyre dhe të një grupi pengmarrësish e interesaxhinjsh të cilët e kanë kapur PD-në? Po a nuk dihet që ndryshimin dhe PD vjen në pushtet nëse PD-ja mbështetet nga SHBA, Britania dhe BE dhe nëse PD mbështet Veting-un, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit? Koha fton demokratët për ndryshim dhe ndryshimin e kërkon dhe e sjell e vërteta, korrigjimi dhe ndarja me të shkuarën komuniste, ndarja nga korrupsioni, nga  servilizmi dhe nga autokracia e nepotizmi. Nuk vjen ndryshimi, dhe nuk sjellin besim e shpresë individët e konsumuar e të dështuar politikisht  dhe ata me rekorde korrupsioni dhe as me “non-gratat”.  Nuk kanë besim anëtarësia, shoqëria civile dhe madje as ndërkombëtarët për t’ua besuar dhe për të shpresuar te ata individë të cilët e duan Partinë Demokratike vetëm për interesa personale, që e duan për një mandat deputeti e kuvendari bashkiak. Nuk sjellin besim e shpresë ata individë që janë deputetë të PD-së, ata që janë servilë të cilët i servilosen madje edhe pushtetit, qeverisë dhe ministrave të qeverisë së sotme  për të punësuar të afërmit e familjarët e tyre; nuk sjellin besim e as shpresë për ndryshim ata që janë bashkëortakë me qeveritarët e pushtetarët në korrupsion dhe në tendera. Këto janë disa të vërteta. Dhe është e vërteta dhe vetëm ajo  do ta ringrejë e reformojë Partinë Demokratike. Partia Demokratike nuk ringrihet dhe nuk sjell shpresë nëse ajo nuk shërohet nga plagët e rënda që e kanë gërryer atë. Pothuajse askush, (përveçse rrallë ndonjëri)  nga ata që janë sot  deputetë apo drejtues në strukturat e larta  nuk i thonë të vërtetat se përse Partia Demokratike është sot në këtë gjendje, sepse pothuajse shumica tyre nuk është se janë tërësisht i pastër dhe i të painfektuar  nga ndonje nga këto të këqija që e kanë mbërthyer PD-në si trashëgimia komuniste, korrupsioni, paaftësia, servilizmi dhe nga tradhtia e pasinqeriteti me anëtarësinë  e Partisë Demokratike. Në bazë, te anëtarësia në Partinë Demokratike ka individë të pa trashëgimi komuniste, të pakorruptuar dhe jo servilë. Ka të tillë edhe studentë, intelektualë dhe nga shoqëria civile të cilëve u duhen hapur dyert dhe të ftohen nga Partia Demokratike që të angazhohen politikisht.