Televizioni shtetëror i Azerbajxhanit transmetoi sot një video që tregon ekskavatorët duke shkatërruar ndërtesën që dikur strehonte parlamentin armen në Nagorno-Karabakh.
Mediat raportuan se ndërtesa e parlamentit, së bashku me ndërtesën fqinje që strehonte Shoqatën Armene të Veteranëve të Luftës, u shkatërruan sepse ishin ndërtuar “ilegalisht”, raportoi Reuters.
Armenia ka akuzuar Azerbajxhanin për spastrim etnik, pasi më shumë se 100,000 armenë etnikë u larguan nga Nagorno-Karabakh kur forcat azerbajxhanas rimorën enklavën vitin e kaluar.
Baku e mohon këtë, duke këmbëngulur se armenët janë të mirëpritur të qëndrojnë në territor. Armenët nga Nagorno-Karabakh deklarojnë se janë larguar masivisht, sepse nuk ndihen të sigurt në Azerbajxhan.