Mediat polake raportuan të martën se tre objekte të paidentifikuara që dukeshin si balona për matjen e kushteve meteorologjike janë gjetur në verilindje të vendit dhe disa prej tyre kishin mbishkrime me shkronja të alfabetit rus.
Objektet u gjetën pranë liqenit Mazury të Polonisë, rreth 20 kilometra nga kufiri me enklavën ruse të Kaliningradit. Radioja polake RMF FM tha se asnjë nga balonat nuk kishte pajisje speciale të lidhura me to.
Emilia Plawska nga policia lokale në qytetin Szczytno tha për mediat se ushtria ishte njoftuar dhe do të inspektonte objektet.
Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se objektet dukeshin të ishin balona meteorologjike dhe shtoi se çështja trajtohej si çështje “civile” dhe jo si çështje ushtarake. Ai tha se incidentet do të diskutohen në takimin e javës së ardhshme të Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes.