Nga Enver Robelli
Në fund të vitit 1949 u takuan dy diktatorë. Njëri quhej Enver Hoxha nga Shqipëria. Tjetri Josif Stalin i Bashkimit Sovjetik.
Takimi u zhvillua në Sukumi, një qytet në Detin e Zi. Sot Sukumi është “kryeqytet” i Abhazisë. Sipas Moskës “Republika e Abhazisë” është e pavarur.
Sipas Gjeorgjisë dhe shumicës së vendeve anëtare të OKB-së, Abhazia është pjesë e Gjeorgjisë.
Në takimin e vitit 1949 mes Stalinit dhe Hoxhës u diskutuan disa tema, mes tyre: lufta civile greke, Jugosllavia dhe Kosova.
Stalini i rekomandoi shërbëtorit të tij në Tiranë dy gjëra: “regjimi i Titos të luftohet me ashpërsi” dhe “çështja e Kosovës duhet të lihet në plan të dytë dhe nga ana juaj të mos vihet në plan të parë”.
Enver Hoxha u mahnit nga pritja që i bëri Stalini. U habit që Stalini nuk kishte shërbëtor dhe “ngrihej në këmbë vetë merrte gjellën, priste zogun duke qëndruar në këmbë, ulej, qeshte, bënte shaka dhe ta bënte zemrën behar”.
– “Derisa të rroj nuk do ta harroj atë mbrëmje”, shprehej Enver Hoxha, i cili duket se kishte vetëm një interesim atë mbrëmje: Stalinin dhe mënyrën se si ai e hante pulën e pjekur.
– Detajet nga ky takim burojnë nga libri “Nga Stalini te Mao. Shqipëria dhe bota socialiste” të historianit Elidor Mëhilli.