Një pjesë e diskutimeve brenda mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD janë zbardhur teksa nuk kanë munguar debatet mes anëtarëve.
Edi Paloka ka deklaruar se Këshilli Kombëtar ka të drejtën për të marrë vendime për ndryshimet statutore, gjë që sipas tij është domosdoshmëri për bashkimin e PD.
Ai shprehu propozimin për ndryshimin statutor, që sipas tij u diskutua edhe në kryesi dhe është konsultuar me kryetarin Sali Berisha sipas asaj që raporton gazetari Osman Stafa.
Nga ana tjetër anëtarja Endira Bushati është shprehur se ka mësuar rendin e ditës nga mediat, duke iu drejtuar Palokës se ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.
“Ne nuk jemi dele që ta marrim vesh rendin nga media. Ju thatë me propozim te kryesisë, bëjeni transparente vendimmarrjen, opinionet pro ose kundër”, u shpreh ajo.
Flamur Noka ka qëndruar në të njëjtën linjë me Palokën duke thënë se ky proces vjen pas bashkimit të demokratëve që ka dhënë impakt pozitiv tek anëtarësia.
Pjesë nga diskutimi:
Edi Paloka: Këshilli Kombëtar ka te drejtën të marrë vendime për ndryshime statutore. Është domosdoshmeri për bashkimin e PD. Efekti i bashkimit është ndikues i madh jo vetëm te anëtarësia por edhe te qytetarët. Sot propozojmë ndryshimin statutor qe u diskutua dhe në kryesi ku u arrit mirëkuptim për formulimin. Kjo është konsultuar edhe me kryetarin Berisha. Në kryesi diskutuam gjatë dhe patëm mendime të ndryshme, por në fund arritëm në dakordësi.
Endira Bushati: E mësova nga mediat rendin e ditës. Ju zoti Paloka nuk më kthyet përgjigje për rendin e ditës. Ne nuk jemi dele që ta marrim vesh rendin nga media. Ju thatë me propozim te kryesisë, bëjeni transparente vendimmarrjen, opinionet pro ose kundër. Në nenin 54 në statut theksohet: Gjykata e partisë bën interpretimin e statutit. Kërkoj interpretim nga gjykata.
Adriana Kalaja: Me vendim të kryesisë bëhen ndryshimet statutore.
Flamur Noka: Kryesia e PD e mbledhur para 1 jave shqyrtoi vakumin institucional në 19 degë që kandiduan për zgjedhjet vendore. Kemi 19 kryetarë të komanduar të cilëve u ka përfunduar afati i komandimit. Ky proces vjen pas bashkimit tonë që ka dhënë impakt pozitiv tek anëtarësia.