Suedia të enjten iu bashkua zyrtarisht NATO-s si anëtari i 32-të i aleancës ushtarake transatlantike, duke i dhënë fund dekadave të neutralitetit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe shekujve të mos-angazhimit më të gjerë me fuqitë e mëdha.
Presidenti amerikan Joe Biden përgëzoi Suedinë për pranimin e saj dhe tha se kjo ishte një shenjë se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë kishte bashkuar, në vend që të ndante, aleancën.
“Kur Putini nisi luftën e tij brutale të agresionit kundër popullit të Ukrainës, ai mendoi se mund të dobësonte Evropën dhe të ndante NATO-n”, tha Biden.
“Në vend të kësaj, në maj 2022, Suedia dhe Finlanda, dy nga partnerët tanë të ngushtë, morën vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim të plotë në NATO”, tha Biden. “Me shtimin e Suedisë sot, NATO qëndron më e bashkuar , e vendosur dhe dinamike se kurrë”, theksoi ai.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken kryesuan një ceremoni në të cilën “instrumenti i pranimit” i Suedisë në aleancë u depozitua zyrtarisht në Departamentin e Shtetit.