Ballina Aktualitet Shifrat dramatike: 1 bebe në 365 ditë në Leskovik. Gjatë 2023 u...

Shifrat dramatike: 1 bebe në 365 ditë në Leskovik. Gjatë 2023 u regjistruan 4 lindje, 3 ishin emigrantë

38
0

Vitin e kaluar klarineta nuk nxori melodi në qytetin e sazeve sepse për fat të keq nuk pati asnjë dasmë.

Zhurma të rinj nuk ka, të vetmet hapa janë ato të të moshuarve të cilat duken pothuajse poetike e nuk ka as të qara fëmijësh sepse vitin e kaluar pati vetëm 4 lindje, e si për ironi, vetëm njëri prej tyre po merr gji e po rritet në Leskovik. Jeta këtu pothuajse është ndalur.

Leskoviku i cili dikur popullohej nga më shumë se 8000 banorë, sot nuk numëron më tepër se 2900 të tillë. Në vitin 2023 pati vetëm 4 lindje, 3 prej tyre në emigrim e vetëm 1 në Leskovik.

“Të regjistruar kemi 4, por 3 jetojnë jashtë shtetit aktualisht, vetëm një është në Leskovik. Një në Angli, dy në Greqi e një në Shqipëri. Këtu ka pasur shtëpi lindje, kemi pasur deri në 80 lindje në vit por trendi si kudo, moshat e reja largohen, çdo gjë vjen duke u kufizuar. Ikin jashtë shtetit, në emigrim”, thotë Hyrje Hida, mjeke në Leskovik.

Banorët tregojnë se nuk ka ngelur asnjë i ri në Leskovik, pasi të gjithë janë larguar në emigrim.

“Po këtu kanë ikur të rinjtë, kanë ngelur vetëm pleq e plaka e nuk ka lindur. Tani rrezik e shkolla, dikur kishte 400 nxënës, sot 60 nxënës kanë ngelur. Për 5-6 vite mbyllet e shkolla. Këtu pleq e plaka kanë ngelur”, shprehet një banor.

“Edhe popullata sidomos të rinjtë kanë emigruar, shumica kanë ngelur brez i tretë. Flitet që e shkolla do bashkohet se nuk ka nxënës. Dikur Leskoviku kishte 700, sot 50-60. Detyrohen familjarët të ikin pas fëmijëve. Kemi ngelur shumë pak”, shprehet një tjetër.

Faktin e shpopullimit e pranon dhe kryetari i njësisë administrative Leskovik.

“E vërteta është e hidhur e kjo ndodh çdo ditë që largohen, kaq ofron Leskoviku, kërkojnë një cilësi më të mirë jete dhe largohen. Lindshmëria ishte diku rreth 4 sipas statistikave por jemi të pajtuar me këtë fakt”, thotë Nardi Konica, kryetari i Njësisë Administrative Leskovik.

Leskoviku është i njohur për prodhimin e verës dhe rakisë, sektor ky që i mban ende familjet leskoviqare të qëndrojnë aty, ndërkohë që turizmi është një nga synimet që bashkia Kolonjë ka në plan zhvillimor për këtë zone.