Ballina Europë Joschka Fischer për Kosovën, luftën në Ukrainë, rolin e SHBA-ve, gabimet e...

Joschka Fischer për Kosovën, luftën në Ukrainë, rolin e SHBA-ve, gabimet e Merkelit dhe rrezikun nga Putini…

100
0

Nga Enver Robelli

Dikur Joschka Fischer ka qenë pacifist dhe ëndërrimtar i revolucionit majtist. Agresioni serb kundër Bosnjës ia ndërroi mendjen. Por kthesën më të madhe politike e biografike në jetë ai e bëri më 1999: si kryediplomat gjerman u angazhua për bombardimin e Serbisë me qëllim të shmangies së gjenocidit në Kosovë. Atëherë ekzistonte mendimi se Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi. Ndodhi e kundërta. Pse?

Në një intervistë për gazetën DIE ZEIT, Joschka Fischer e kritikon ish-kancelaren Angela Merkel. Thotë se ajo bëri dy gabime: gjermanët nuk duan reforma sociale, andaj, mendoi ajo, po i lë të qetë dhe s’po bëj gjë. Gjermanët nuk duan luftëra, andaj nuk po i ngacmoj dhe nuk po merrem me çështje të sigurisë. Qasja e Merkel, thotë Fischer, ishte e kundërta e lidershipit politik.

Edhe kancelari Olaf Scholz së fundi duke iu përgjigjur një qytetari gjatë një debati tha: duhen diplomatë, jo granata. “Natyrisht”, thotë Fischer, “diplomacia është e mirë. Por çka është diplomacia pa hard power? As vetë nuk kam mundur ta marrë me mend që do të angazhohem për armatosje, madje edhe për frikësim me armë bërthamore. Merreni me mend! Por gjendja është si është”.

Fischer krition kancelarin Scholz, i cili kërkesat që armatosje bërthamore të Gjermanisë (dhe Europës në përgjithësi) i quajti së fundi dokrra. Fischer mendon ndryshe. Vetëm falë armëve nukleare amerikane në Europë kemi 7 dekada paqe. Kush e njeh mentalitetin rus, thotë Fischer, e di se ata i marrin seriozisht vetëm amerikanët. Pse?

Sepse e kanë kuptuar këtë gjatë Luftës së Ftohtë dhe për shkak se SHBA-të janë fuqi nukleare e cila është e vendosur që kur vjen puna ta përdorë fuqinë nukleare. Fischer kërkon që shtetet europiane të diskutojnë mundësinë e vetëmbrojtjes me armë bërthamore, sepse, siç thotë me ironi, po fitoi Donald Trumpi në nëntor, neve europianëve do të na mbrojë vetëm i lumi zot.

Sipas Fischer ne jemi duke përjetuar një luftë revizioniste të Vlladimir Putinit. Kjo nuk do të jetë lufta e vetme e tij, është i bindur ish-ministri gjerman i punëve të jashtme. Putini synon rikthimin e perandorisë ruse duke pushtuar toka të tjera. Fischer thotë se ka qenë për heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Gjermani. Sot, shton ai, duhet të them se ky ka qenë gabim.