Nga Ndue Dedaj
Gjithë jetën poeti i shquar Ndoc Gjetja rroi për të shkruar Dhjatën e tij poetike. Të gjithë poetët e vertetë kanë patur e kanë “dhjatën” e tyre, që nga antikiteti greko-romak. Natyra, zotat, gjithësia, dielli, hëna, qielli, toka, atdheu, vendi i lindjes, njeriu, dashuria, fëmijëria, ekzistenca, përlindja – janë vetëm disa nga kultet e tyre shembullore. Rilindasit tanë kishin mbi të gjitha kultin e Shqipërisë, gjuhës shqipe, flamurit kombëtar. Ndoc Gjetja në poezinë e tij gjenuine ka një zot që i falet: Njeriun dhe një tempull për të: Dashurinë. Dritëro Agolli e quante Ndocin “poet i veçantë”, Adriatik Kallulli “zë poetik tepër origjinal”, Agim Vinca “poet me profil poetik të vetin, që në punë të mjeshtrisë ka përfituar nga përvoja e poetëve të njohur shqiptarë dhe botërorë”, Robert Elsie “poet transparent… për poezitë e bukura satirike dhe politike”, kurse Preç Zogaj e kishte pagëzuar “dekan të poetëve të Lezhës” etj. Për krijimtarinë e tij ka shkruar dhe gjuhëtari i mirënjohur Selman Riza e plot të tjerë. Ka qenë një praktikë e “poetit laureat” edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë, ku në vitet ‘80 një mandat katërvjeçar qe Ndoci në këtë post honorifik.
Ndocit i mjaftonte ara e tij dhe nuk prashiste asnjëherë në arat e të tjerëve. E vetmja gjë ku ai gjendej, përpos poezisë, ishte filozofia, për çka dhe pati studiuar në Athinë në fillim të viteve ’90, si për të qenë më pranë Platonit e Aristotelit. Ndërkohë që njihte mirë poezinë, poetët bashkëkohorë italianë, francezë, amerikanë etj., por që vetë krijonte veç “Ndocin”. Kur pati dalë libri i tij “Dhjata ime” me 1998, patëm shkruar në shtyp se ai u ngjiste librave unikë, si “Vargjet e lira” të Migjenit, “Album” i Fan Nolit, apo “Lum Lumi” i Podrimjes, akte krijuese që nuk ndodhin gjithnjë. Më vonë morëm vesh se Ndoci e kishte pëlqyer këtë qasje, dhe pse mes nesh kishte një etikë që nuk na lejonte dhe aq t’i shprehnim vlerësimet dhe falenderimet sy ndër sy.
“Dhjata ime”, me vetëm 42 poezi, është lirike dhe refleksive, aty bota përthyhet, shkrifërohet, përplaset, kriset në përpjekje për t’i dhënë formë artistike. Mund të ishin jo një numër kaq i kufizuar poezish, dihet se çdo poet ka gjithnjë më shumë poezi se ato që boton, por kjo natyrë kursyer ka të bëjë me përkryerjen poetike që synonte poeti dhe ia kishte dalë si rrallë ndonjë tjetër në poezinë shqipe, ku në këtë anë të kujton Mjedën e Lasgushin, sqimëtarë të vargut. Ndoc Gjetja ka ndërtoi kozmosin e tij poetik, sa tokësor – aq hyjnor, enciklikën e njeriut dhe të shpirtit, sigurisht duke satirizuar “shpirtërat e këqinj”, “kotlindjet” etj. Poeti thërret në ndreqjen e botës së sotme personazhe të çuditshme, si Sokratin e thinjur, Jezu Krishtin, Pal Engjëllin, Hamletin, Të Mundurin, Preç Poetin, Gjergj Fishtën, Don Kishotin, Mesharin, Çetën e Profetëve, Kishën Apostolike të Poezisë etj., si një përballje me: Njëshin, Ponc Pilatin, Përtypësit, Horatin, Dreqistanin, Birin e Dreqit, Zyrën e Gabimeve Fatale etj. Dhe gjithkund e gjithkah këtyre “Një qenie njerëzore që quhet Ndoc”. Nuk mund të ketë një vetëpërkufizim më të thjeshtë të poetit për veten; asnjë epitet, asnjë metaforë kushtuar vetes. Edhe në këtë anë një kambanë e pazëshme për të gjithë ata krijues që e teprojnë me “unin” vrastar të artit. Nëse Gjetja kishte “manastirin e vetes” ku mbyllej, sot mund të thuhet se po lulëzon “manastiri i unit” (!?) që veçse identitet krijues nuk është.
Ndoshta tek askush më shumë se te Ndoc Gjetja, poeti dhe njeriu nuk ishin bigëzuar në një. Ndoci ishte i njëjti dhe kur ishte njeri i panjohur, dhe kur ishte poet i dëgjuar i vendit, modest deri në përvujtëri. Ai ishte një Sokrat dhe kur ishte pa punë, dhe kur i ra ra rasti të drejtonte Këshillin e Rrethit të Lezhës në vitin 1997, si figura e gjithëpranuar nga krahët e politikës. Ai qendronte në të njëjtën lartësi shpirtërore dhe profesionale, si kur drejtonte në Tiranë revistën elitare të kryeqytetit “Skena dhe ekrani”, organ i Ministrisë së Kulturës, në marrëdhënie më artistët më të shquar të vendit, te teatrit dhe kinematografisë, si kur drejtonte Pallatin e Kulturës së Lezhës, gjysma me profesionistë, gjysma me amatorë. Ndoc Gjetjes askush nuk i thoshte jo, dhe pse ai nuk kërkonte asgjë nga njerëzit, përveç mirësisë, që ai vetë e dhuronte pa cak. Ndoci ishte një rebel i padukshëm, që nuk protestonte, por ti duhej ta kuptoje protestën e tij qytetare, kur udhëtonte me tren, me motoçikletë, por jo dhe me veturë, pasi ia kishin shpifur zyrtarët që kaperdiseshin në sediljen e parë, si të ishte ajo mitra që i kishte ngjizur. Ai e lëvroi me finesë dhe humor lirikën sociale, përmes saj ai mbante qendrim si poet, njeri i letrave e jo dhe si politikan, publicist e sociolog. Në tranzicion Ndoci iku nga kryeqyteti dhe shkoi në provincë, me bindjen se kjo e fundit ende nuk ishte shprishur përsa i përket virtytit, por nuk ishte ashtu. Ai ishte “poet” dhe në ecje, në ndejë, përherë i qetë, asnjëherë i vrullshëm, me mendim të kthjelltë, por që duhej të dije ta dëgjoje. Ishte i vëmendshëm ndaj letrarëve të rinj, dinte t’i çmonte dhe kur nuk i njihte, nuk i donte lajkat, as nuk i bënte.
Ndoci shkruante rrallë poezi, pasi poezinë e quante një gjë shumë të lartë, që nuk mund të vinte sa herë e kërkoje, ndaj poezitë e tij sot mbahen mend, jo në kuptimin që dihen përmendësh, si dhe Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, Ilirian Zhupa etj., poetë që e “vuajnë” poezinë duke e maturuar brenda qenies së tyre. Poetë të tillë e shpallin poezinë kur e arrijnë atë pa e hedhur ende në letër. Thënë ndryshe ata janë identitet i poezisë dhe poezia identitet i tyre. Lexuesit, mëtuesit dhe leçitësit e poezisë, aktorët e fjalës artistike, autorët e antologjive poetike nuk mund t’ia arrijnë qëllimit pa e kuptuar këtë simbiozë të brendisë artistike të tyre. Të befason me një poezi të tijën, poeti mërgimtar Nokë Sinishtaj, kushtuar ustatit Martin Camajt, i cili si të ishte vetë Mjeda e kishte pas këshilluar në rini që të shkruante jo një poezi në ditë, në javë, por një në muaj, po që ky e kishte “kuptuar” vetëm kur ishte bërë 70 vjeç, për çka i drejtohet Camajt: “Të shoh tue u rrit në vorr!” Nuk mund të ketë një dedikim më të çuditshëm e më sofistik të një poeti për një poet tjetër, por dhe një kumt se urtësia nuk rroket shpejt, por duhet një jetë që ta kuptosh se çfarë është poezia, letërsia, krijimi. Këtë duhet ta ketë kuptuar herët Gjetja, aq i përkorë me poezinë.
Poeti ka ikur në amshim prej shumë vitesh, por çfarë ka ndodhur me këtë poezi në këto vite që ai nuk është këtu për ta “ujdisur” sadopak, edhe pse Ndoci kujdesej për poezinë vetëm për ta shkruar atë, por jo dhe për t’i dhënë jehonë publike. Me siguri ai kishte parasysh kodet e artit të vërtetë, që poezia e gjen vetë udhën për te lexuesi dhe se ajo është një udhë e gjatë, që asnjëherë nuk përshkon masat, por vetëm elitat. Mirëpo a thua ka ndryshuar diçka në këtë rregull të pashkruar të komunikimit në sferën e artit? I fundit botim i tij në të gjallë ishte përmbledhja poetike “Biri i njeriut” nga “Toena”. Këto vite gjerat që janë bërë për poezinë e Gjetjes kanë qenë më së shumti sporadike e periferike. Pos përfshirjes në një antologji të poetëve shqiptarë në Francë, më 2019, thuajse asgjë tjetër për t’u shënuar. Asnjë botim a ribotim i veprës së tij poetike. Ajo nuk gjendet më në librari dhe pak në biblioteka. Klubi letrar “Ndoc Gjetja”, në Lezhë, me krijues të talentuar, e përçon veprën e poetit me aq sa mundet, por gjithsesi në një rreth pak më të gjërë se miqsh. Ndërkohë që dhe në rrjetet sociale poezia e tij nuk është se nuk haset. Por nuk është e mjaftueshme. Po shkolla? A është poezia e tij në antologjitë shkollore? Apo nuk ka më të tilla!…
Poeti rron përmes veprës dhe ai është “gjallë” aq sa vepra e tij lexohet, deklamohet, përhapet dhe ngjall emocione. Veçmas lirika himnizuese e njeriut dhe ajo e dashurisë e Ndocit janë të pazëvendësueshme. Për t’i kënduar femrës, hireve dhe bukurisë saj shpirtërore poeti nuk kishte “realizëm socialist” që i peshonte mbi supe dhe ia sterilizonte trurin. Femra në poezinë e tij nuk ishte muskuloze si në pankartat e Lindjes, por ndjesore, gjithë sharm e dëlirësi, feminitet e amësi. Mjafton të kujtojmë poezi emblematike, si “Puthja”, “Lojë dashurie”, “Një heshtje e bukur”, “Dashurisë”, “Kur më jepet tërë qenia jote” etj.
Lexuesi që e mban në duar librin “Dhjata ime”, dhe sot pas një çerek shekulli që kur është botuar, nuk ka harruar se është brenda një “dhjate”, ku poeti lutet si një shenjtor dhe kumti lutjesor është krejt i veçantë për nga gjetjet, shqiptimi dhe metaforat e tipit: “Na ruaj o Zot secilin prej të gjithëve”. Po ashtu janë kthyer në sentenca popullore vargjet e tij: “…Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra / të kishim njerëz sa ç’kemi banorë / veç diellin lart të kishim epror”.
Poezia e “Enciklikë” e Gjetjes është një lloji testamenti poetik jo vetëm e këtij poeti, por mbase i krejt poezisë së tranzicionit shqiptar, që shënon një cilësi të re, atë të reflektimit ndaj denatyrimit të njeriut, që duke i ikur “njeriut të ri” nuk e gjen veten në liri. Dhe kjo për poetin që ka “vuajtur” nga dashuria për njeriun është një “zbulesë” marramendëse, pasi duke përifrazuar poezinë e tij, “një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish” befas i rezulton “i rroposur nga kataklizmi i ndarjes”, ku ai e sheh vetën si Shën Budallai, që ka falur pafundësisht mirësi dhe tash po merr zhgënjim nga “ish – shokë”, “ish – miq”, “të dashurit ish-ër”: “E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba, / ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit”. Përndryshe, ky ishte dhe kryqëzimi i tij “në oborr të Pilatit”, “në natën e gozhdimit të tij në kryq”…
Poeti që sot do të mbushte 80 vjeç buzë Drinit u shua 14 vjet më parë në Lezhë. Ka qenë kënaqësi, por dhe fat, njohja dhe miqësia me Ndocin, vizitat në shtëpinë e tij, takimet në librarinë “Kuvendi”, ku ai gjendej përditë, në shoqërinë e shkrimtarëve lezhianë, Pjetër Jaku, Kujtim Dashi, Salvador Gjeçi etj. Ktheheshin herë pas herë aty dhe Rudolf Marku, Agim Isaku, Preç Zogaj, Shpresa Kapisyzi, Tonin Çobani, Mark Simoni, Silvana Gjebrea etj. Erdhi një rast në Lezhë dhe Ismail Kadare për një takim me lexuesit dhe Ndoci ishte në krah të tij në podium, siç kishin qenë bashkë dhe në panairin e librit në Lajpcig etj.
Edhe këtë 9 mars në Lezhë ka një veprimtari kushtuar Ndocit, organizuar nga klubi letrar “Ndoc Gjetja”, ndër më të dalluarit në botën shqiptare për promovimin e letërsisë së njëmendët.