Meron është shtëpi e një baze të madhe të kontrollit ajror dhe Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, që nga fillimi i këtij viti e ka sulmuar këtë bazë disa herë.
Hezbollahu tha se veproi “në përgjigje të sulmeve izraelite kundër fshatrave në jug dhe shtëpive të civilëve”, veçanërisht duke shënjestruar një ditë më parë shtëpinë e një luftëtarit të Hezbollahut në Herbet Selm.
Një grua dhe një person tjetër u vranë në po atë sulm, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve në Liban.
“Pas lëshimit të sirenave në veri të Izraelit, afërsisht 30 raketa të hedhura nga Libani u identifikuan në territorin izraelit, një numër i të cilave u penguan”, tha ushtria izraelite të dielën.
Në njoftim u shtua se forcat ajrore izraelite goditën infrastrukturën e Hezbollahut gjaët natës, përfshirë “një strukturë ushtarake në të cilën u identifikuan terroristë të Hezbollahut në zonën e Hebert Selmit”.
Të paktën 312 persona janë vrarë në Liban që nga nisja e dhunës ndërkufitare më 8 tetor, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por edhe 53 civilë, sipas të dhënave të grumbulluara nga AFP-ja.
Në anën izraelite, dhjetë ushtarë dhe shtatë civilë janë vrarë, sipas të dhënave të fundit zyrtare.
Dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur nga luftimet në të dyja anët e kufirit./ REL