Kryebashkiaku i Pukës nga radhët e opozitës, Rrok Dodaj, ka treguar detaje rreth asaj që u diskutua në mbledhjen e përbashkët të kryebashkiakëve të qarkut të Shkodrës, kryeministrit Edi Rama dhe ministrave.
Përmes një interviste televizive, Dodaj tha se shpresonte që të mos kishte dallime mes bashkive të majta dhe atyre të djathta, përsa i përket vëmendjes nga ana e qeverisë.
Ai tha gjithashtu se një prej temave të diskutimeve në takim ishte liberalizimi i lejeve të ndërtimit, që sipas tij është kthyer në një problem në fshatrat e zonës.
“Një bashki e vogël do bëjë të njëjtën punë si një bashki e madhe. Pavarësisht se numri i punonjësve është më i vogël te bashkitë e vogla dhe më i madh te bashkitë e mëdha. U mor parasysh kjo, niveli i pagave do të jetë jo i diferencueshëm me ça dëgjuam ne në takimin me kryeministrin, ministrat dhe kryebashkiakët.
Tjetër risi ishte edhe liberalizimi i lejeve të ndërtimit nëpër fshatra, pasi njerëzit nuk mund të ndërtojnë një çati, sepse ashtu janë procedurat ligjore, tepër të ndërlikuara. Tjetër ishte menaxhimi i pyjeve. Shpresojmë që të mos ketë dallime mes bashkive të majta e të djathta”, tha Dodaj.