Ballina Europë Përplasja me armë zjarri në Itali, rëndohet bilanci i viktimave, ndërron jetë...

Përplasja me armë zjarri në Itali, rëndohet bilanci i viktimave, ndërron jetë një tjetër i ri shqiptar

63
0

Bilanci i viktimave nga sulmi me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Aldo Moros në Frosinone të Italisë është rënduar pasi një tjetër i ri shqiptar ka ndërruar jetë.

Gjatë sulmit një prej të rinjve shqiptarë mbeti i vdekur në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë u plagosën dhe njëri ndërroi jetë më pas në spital.

Sipas mediave në Itali grupi i të rinjve nga Shqipëria është përballur me një grup tjetër të cilët mbërritën me makinë pranë lokalit dhe pas një debati me tone të larta hapën zjarr.

Sipas mediave italiane dëshmitarët okularë thanë se dëgjuan të shtënat papritur dhe menjëherë panë trupat e të rinjve në tokë.

Për ngjarjen reagoi edhe kryebashkiaku i Frosinones i cili tha se ishte i shokuar nga krimi i rëndë që ndodhi në lokalin më të frekuentuar nga të rinjtë e qytetit.

“Jam i shokuar, nuk mund të them asgjë. Për mua kjo që ndodhi është e pashpjegueshme. Është një plagë për të gjithë qytetin. Mund të konfirmoj që nesër në mëngjes do të flasim me prefektin”, tha Riccardo Mastrangeli.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të krimit të rëndë që tronditi vendin.