Ballina Opinion Bashkimi i numrave që nuk sjell fitoren e Rithemelimit

Bashkimi i numrave që nuk sjell fitoren e Rithemelimit

72
0

Nga Roland Qafoku

Ndodhi ajo që deri pak muaj më parë quhej e paimagjinueshme. Gazmend Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, dy kundërshtarët dhe armiqtë më të mëdhenj politikë të Sali Berishës, që nga e marta e shkuar janë nënkryetarët e tij në grupimin e Rithemelimit. Një ndryshim i beftë statutor me procedurë të përshpejtuar solli katapultimin e tyre në pozitën e dytë më të rëndësishme në atë parti që zotëron më shumë anëtarë, por nuk zotëron vulën. Në fakt, jo vetëm në PD-në jozyrtare, por edhe më gjerë, kjo “new entry” ka sjellë jo pak pakënaqësi për mënyrën se si ata u bënë pjesë e kupolës drejtuese të këtij grupimi. Së pari, për faktin se ky nuk është bashkim zemrash, por bashkim mekanik numrash dhe nuk ka moral dhe nuk krijon frymë. Dhe e dyta, akoma më e rëndësishme, të dy personazhet politikë nuk janë votuar në forumet dhe në anëtarësinë e këtij grupimi. Të dy nuk kanë bërë minimumin në këtë prapaktheu, duke kërkuar ndjesë publike anëtarëve të PD. Ato pak fjalë mospendese në “Opinionin” e Blendi Fevziut më shumë u thanë pas këmbënguljes së gazetarit se sa nga një detyrim personal. Por a është ky bashkimi i madh që dëshironin dhe prisnin demokratët, por edhe mbarë opinioni publik apo kemi të bëjmë me një pazar? E vërteta është se nuk ka anëtarë në PD që nuk e kupton që ky bashkim është shumë i sforcuar dhe vetëm numrash dhe nuk sjell asgjë më shumë. Janë vetëm dy individë të dorëzuar përballë një realiteti që Rithemelimi e dominon partinë dhe ata u kthyen aty dhe kaq. Sigurisht që nuk vëmë në diskutim vlerat vetjake në profesionet e tyre të Gazmend Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt. Madje i dyti është një nga intelektualët më të spikatur në vend në fushën e letrave dhe të mësimdhënies. Por, tjetër gjë është arti i punës profesionale dhe tjetër është arti i politikës. Për analogji i kthehemi historisë politike të Shqipërisë në vitet ‘20-të. Me diplomën e Harvardit në xhep dhe jo vetëm, Fan Noli dhe Faik Konica ishin vërtetë shumë më të arsimuar, por Ahmet Zogu, madje, pa diplomë, fitoi çdo betejë politike me ta aq sa në një moment “pleqtë” e Bostonit, Noli dhe Konica, e pranuan që malësori nga Mati i kishte mundur në çdo drejtim dy dishepujt e kulturës shqiptare. Sigurisht që Gazmend Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj nuk janë as Noli e as Konica, por këtë krahasim e bëjmë sepse niveli i tyre profesional është më i lartë se sa mesatarja e nivelit të kësaj partie.

KONTRIBUTI I BARDHIT DHE GJEKMARKAJT NË PD

Të dy të afruar në parti nga Lulzim Basha, të dy kanë qenë nga më të vlerësuarit e tij kur ai ishte kryetar. Sekretar i Përgjithshëm i partisë, madje edhe ministër në qeverinë e Edi Ramës në atë koalicion turpi, Gazmend Bardhi ka qenë numri dy i kësaj partie dhe mbart mbi vete të gjitha mëkatet, gabimet dhe fajet që akuzohet Lulzim Basha për dështimet e PD-së. Ndonëse jo në nivelet e Bardhit, edhe Agron Gjekmarkaj ka qenë pjesë e rëndësishme e partisë. Ai arriti të bëhej nënkryetar i Kuvendit me bekimin e Lulzim Bashës dhe për të paktën për dy vitet e fundit, ai mbart të gjitha mëkatet, gabimet dhe fajet që e akuzojnë Lulzim Bashën për vendimet dhe qendrimet e tij. Edhe historia e tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit 2021 nuk është për lavdërim. Kështu, Gazmend Bardhi mori në Elbasan 3999 vota. Ishte i pari në listë dhe doli i pesti në renditjen për numrin e votave të marra. Në këtë qark PD mori 6 deputetë dhe nëse do të ishte listë e hapur vërtetë rrezikonte të merrte mandatin. Ndërsa Agron Gjekmarkaj në Lezhë ishte i dyti në listën e Bashës dhe mori në ato zgjedhje 4067 vota. Ai doli i treti për nga numri i votave nga 4 deputetë që PD mori në këtë qark. Por pjesë më e rëndësishme në këtë histori është se ka vite që të dy nuk janë provuar nga vota e demokratëve në strukturat e kësaj partie. Të mendojmë një moment se nëse do të votoheshin për të qenë ose jo anëtarë të kryesisë. Nën zë në grupimin e Rithemelimit shprehen se pak ishin gjasat që të kishin fituar. Pra edhe pse të mikluar prej kryetarit në krye të listave dhe të mikluar nga mediat dhe nga postet në PD, duket se ata nuk gëzojnë mbështetjen e demokratëve por edhe më gjerë. Nëse do të ishte një listë e hapur dhe gara e barabartë, zor se do të merrnin kaq shumë vota. Por edhe më i rëndë duket tashmë vizioni që ata kanë patur për Partinë Demokratike. Në ndarjen e madhe të PD-së, sot nuk di se si ndjehen ata të dy por deklaratat e tyre spektakolare janë pjesë e arkivës së artë të medias. Deklaroi Agron Gjekmarkaj më 30 shtator 2021:

“Nëse fiton linja e Berishës, unë largohem nga Partia Demokratike”.  Po Gjekmarkaj, më 4 maj 2022 shkroi një status në facebook:

“Po të ishte kongresi i demokratëve do kisha ndenjur se ka mbi 10 vjet që ju dal për zot publikisht interesave të tyre, po që kongresi i familjes Berisha, të cilët për fat të keq e për dhimbjen time u rrëzuan të dy duke rendur drejt pushtetit. Demokratët nuk janë dele dhe ata nuk po kërkojnë një bari. Ata e kanë partinë në krizë sepse dikush me ta do të sillet si bari që bën ç’të dojë me delet e veta”.

Por edhe më spektakolar në qendrime ka qenë numri dy i partisë që sot me atë që ka shprehur i ka mbetur si një çengel që e tërheq kurdo dhe kudo. Më 3 tetor 2023 Gazmend Bardhi shkroi në twitter:

“Babi i Zenit, njeriut të vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty”!

 PIKËPYTJET E MËDHA TË KËTIJ BASHKIMI

Pasi janë rehatuar në kolltuqet e detyës së nënkryetarit në selinë e ish-SHQUP, vijnë edhe andrrallat. Për të dy, aktualisht shtrohen tre pyetje të mëdha që lidhen me qendrimet që ka mbajtur Rithemelimi, por edhe ata vetë. E para: Si do të jetë raporti i Rithemelimit me SHBA-në, kur dihet që Berisha ka marrëdhënie të ndera dhe është i shpallur non grata prej tyre dhe a do të vijojnë ta cilësojnë Yuri Kim se ka qenë guvernatore e Shqipërisë. E dyta: A do ta cilësojë SPAK një bandë të armatosur dhe drejtuesin e tij, Altin Dumanin, nën kontrollin e kësaj bande? E treta: A do të vijojë revolucioni dhe mosbindja civile për përmbysjen e qeverisë? Këto pyetje përvëluese përbëjnë bazën e moralit të asaj që ata e quajnë bashkimi i madh, por që në fakt rezulton bashkim i vockël. Nuk është gabim të ndërrosh mendje dhe ide sepse siç thoshte Winston Churchill vetëm një politikan budalla nuk e bën këtë. Por mënyra se si e bën kërkon jo vetëm guxim, por edhe moral nëpërmjet një pendese të ndjerë që njerëzit ta kuptojnë vërtetë këtë. Dhe më shumë se kaq, në politikë gjithçka funksionon nëpërmjet institucionit të votës. Si mund ta bëjnë këtë Gjekmarkaj dhe Bardhi të cilët deri tani nuk janë të votuar?

 BASHA ME GISHT NË GOJË

E vetmja e mirë e këtij bashkimi është largimi nga Lulzim Basha, si pjesë e asaj pakice të çuditshme njerëzish. Fakti i braktisjes më të madhe është i diplomatëve amerikanë. Kulmi i saj ishte se sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk e takoi atë gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe kjo ishte shprehje e hapur e mungesës së besimit ndaj këtij politikani. Ndërkaq me largimin nga grupi i tij i Gjekmarkaj dhe Bardhit ka një vlerë që së paku shumica e kanë kuptuar që Basha i përket të shkuarës dhe kaq. Por edhe këtu ka një problem që ata vetë nuk e sjellin fare në memorie. Është ende e freskët ajo që Gjekmarkaj tha në Laç pas sulmit të 8 janarit 2022: Lulzim Basha është trim dhe jam unë dëshmitari. Po sot çfarë do të thotë? Është e vërtetë që Lulzim Basha është ai që është. Ai nuk arriti kurrë të bëhet lider pavarësisht se ishte kryetar i partisë më të madhe në opozitë. Por çfarë ndodhi me Gjekmarkajn që e mbështeti kur nuk duhet ta mbështeste. Është humor i zi mënyra se si po bën politikë edhe në këtë situatë. Marrim vetëm një aspekt. Premtoi se në muajin mars PD-ja që ai drejton do të shpallte listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e vitit 2025, ndërkohë që aktualisht nuk kanë përfunduar ende mbledhjet në degët e kësaj partie në të cilat bëhen propozimet. Ndoshta kjo lista duhet t’i ketë ngatërruar keq punët.

 BASHKIMI I ÇUDITSHËM QË PO SJELL NEGOCIATA TË ÇUDITSHME ME PS

Edhe më e rëndë bëhet situata pas bashkimit të madh. Pikërisht mungesa e votës ka sjellë një fenomen që në këto 34 vjet e ka gërryer për keq politikën. Pa asnjë element të transparencës, pa u votuar nga forumet përfaqësues të Rithemelimit, disa persona aty po negociojnë me përfaqësues të PS-së për një marrëveshje në fitim për të dy palët. Reforma zgjedhore dhe komisionet parlamentare janë tashmë baza e kësaj marrëveshje dhe këtu nuk ka gjë të keqe. E keqja është mënyra se si po kryhet. Së pari pa mandatim nga forumet e partisë dhe së dyti në kundërshtim me deklarimet publike të tipit “Me Ramën, armikun më të egër të shqiptarëve që nga viti 1990 nuk ka bashkëpunim”. Dhe në këmbim, PS do të fitojë ndërprerjen e situatës me eksese në kuvend dhe nisjen e normalitetit të punës të seancave plenare dhe të komisioneve. Duket që ndërmjetës në këto negociata janë Bardhi dhe Gjekmarkaj që deri dje kanë patur qendrime shumë më të moderuara. Por, a është kjo një fitore e Rithemelimit? Mundet, por përsëri në kujtesë na vijnë deklarata dhe qendrimet ekstreme. Ku shkoi revolucioni dhe mosbindja civile që ua premtuan demokratëve? Duket se edhe këtë herë do të kalojë me justifikimin “ashtu ishte një punë”. Mjafton kjo për të kuptuar se kjo është arsyeja e madhe që kjo opozitë nuk fiton përballë Edi Ramës. Sepse githçka është një bashkim numrash dhe jo parimesh dhe zemrash.