Ballina Aktualitet ‘Partizani’/ Berisha dhe dhëndri në kërkim të lirisë, sot seanca në GJKKO

‘Partizani’/ Berisha dhe dhëndri në kërkim të lirisë, sot seanca në GJKKO

40
0

Në Gjykatën e Posaçme mbahet sot sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, të dy në hetim për korrupsion për aferën ‘Partizani’. Berisha dhe Malltezi kërkojnë heqjen e masës arrest në shtëpi, ndërsa seanca do të mbahet në orën 15:00.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar sërish përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka bërë shkelje të rëndë duke u dhënë mediave vendimin për Berishën për të mos marrë pjesë në Kuvend, para se me të të njihej mbrojtja.

Seanca e 8 marsit u shty me kërkesë të avokatëve që të njiheshin me informacionin e depozituar gjatë 2 muajve dhe ecurinë e hetimeve nga ana e SPAK.

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie, akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.

Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u la në arrest shtëpie. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi