Në emër të “inspektimit” të punëve, qeveria ka qenë gjithmonë në fushatë elektorale. Por kohët e fundit angazhimi është intesifikuar. Të gjithë ministrat dhe shpura e nëpunësve që i shoqërojnë, zhvillojnë takime me fermerë, pensionistë, gra, nxënës shkollash, të rinj, etj etj.
Anëtarësojnë të rinj në parti, zhvillojnë festa e koncerte…
Shumëkush mund të thotë: E çtë keqe ka?
Asgjë të keqe nuk ka, pasi çdo parti është e lirë të takojë njerëz e ti ftojë ti bashkohen asaj.
Por problemi është se e gjithë kjo makineri politike vihet në lëvizje me paratë e buxhetit të shtetit. Ministrat lëvizin me makinat e ministrisë, me paratë e ministrisë. Ushqehen dhe flenë nëpër hotele me paratë e ministrisë. Punojnë për llogari të partisë, ndërsa paguhen për të punuar si ministra në shërbim të qytetarëve
Stafet e tyre, drejtora e nëpunës, këshilltarë, fotografë e kameramanë, udhëtojnë, marrin dieta ushqimi, flenë nëpër hotele, me paratë e buxheti të shtetit. Edhe ata paguhen për punuar për llogari të ministrisë, si nëpunës të administratës publike, por punojnë për partinë.
Ka kohë që partia në pushtet nuk ndan dot partinë nga qeveria dhe qeverinë nga shteti.
Kjo është një shkeje e rëndë, këtu fillon padrejtësia në një proces zgjedhor. Partitë e vogla nuk marrin dot as paratë që u takojnë nga buxheti i shtetit sipas votave që kanë marrë në zgjedhje, ndërsa partia në pushtet vë në dispozicion të saj buxhetin e qeverisë, makinat e qeverisë, nëpunësit e qeverisë… të gjithë makinerinë e pushtetit dhe shtetit.