Vendimin e Gjykatës së Lartë që 21 janarin ta hetojë SPAK, deputeti socialist Erion Braçe e cilëson produkt të rëndësishëm të reformës në Drejtësi. Gjatë një prononcimi për mediat, Braçe theksoi se pret që prokuroria e Posaçme ta hetojë në mënyrë të plotë atë që ai e quan ngjarjen më të rëndë që pas vitit 1990, duke tejkaluar madje edhe aktet kriminale të ish-diktatorit Enver Hoxha. “Sot u thye muri që nuk lejonte hetimin e 21 janarit”, deklaroi ai. Më tej deputeti socialist Erjon Braçe i drejtoi dhe një apel të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të 4 vrasjeve të 21 janarit 2011 të mos hezitojnë por të dorëzojnë provat tek SPAK. “Tani është momenti për të dorëzuar prova. Ajo kaseta që qarkullon dëshmon qartë. Ka të tjerë që s’kanë pse mbajnë mbi kurriz barrën e përgjegjësisë së zhdukjes së provave. Një njeri që ka pastruar serverin nuk ka mbajtur provën e tij?! SPAK nuk është prokuroria e Tiranës por institucioni më i mbrojtur, më i mbështetur dhe më i financuar në Shqipëri. Pra nuk blihet fare lehtësisht nga politika. Është i monitoruar nga ndërkombëtarët për të mos lejuar cedimin. Besimi në SPAK duhet të jetë maksimal”, u shpreh ai. Po ashtu, Braçe thotë se ndryshe nga drejtësia e vjetër që urdhërohej nga Berisha tani i takon SPAK dhe GJKKO-së të vendosë drejtësinë mbi atë që e quan krim të përbindshëm. “Prokuroria e Tiranës është fakt që nuk ka bërë asgjë. Pse kjo s’ka bërë asgjë bëni përgjegjës mua dhe PS?! Ka tallur çdo gjë me ato letrat që I dërgonte lart e poshtë.. kur është fakt që plumbi që dol nga koka e Aleks Nikës është dëmtuar në policinë shkencore. Këtë ta thotë vendimi i Strasburgut. Gjyqtarët nuk janë më në kohën e Sali Berishës që pasi urdhëroi ai thanë që kjo është vrasje nga pakujdesia. Sa kohë që kërkon drejtësi të pavarur mos na bëni përgjegjës ne. Janë këta zinxhiri komandues? Ta provojë gjykata e hetimi. Sot nuk ka vlerë gjykimi im politik por aktet juridike. Drejtësia të japë një vendim të pandikuar nga politika apo emocionet e të gjithëve. Të gjithë të jenë përgjegjës e të marrë fund pandëshkueshmëria për një krim të përbindshëm që është tentuar të fshihet në harkun e 13 viteve”, nënvizoi Braçe.