Nga Abdurrahim Ashiku
Faqes së një portali të një prej gazetave prestigjioze në Shqipëri u përcoll një “DEKLARATË E DIASPORËS SHQIPTARE NË GREQI” (formuar në Selanik më 25 shkurt 2024) ku në “Këshillin e përkohshëm drejtues të DSHG (Diaspora Shqiptare në Greqi) janë 31 shoqata, unione, organizata…nga veriu në jug e nga lindja në perëndim të Greqisë, në stere e në ishuj.
“Gjithashtu edhe shumë aktivistë dhe figura të shquara të Diasporës Shqiptare në Greqi, si më poshtë:
- Fatos Malaj, ish-kandidat për deputet në Parlamentin e Greqisë, specialist i çështjeve të migracionit
z. Lefter Kuqo, biznesmen, aktivist në politikën shqiptare dhe politikën greke,
z. Ardi Toska, aktivist i dalluar në Rrethin e Fthiotidës, njohës i çështjeve të migracionit.
z. Sokrat Lambro, poet, skulptor, aktivist i shquar, etj.
Në komentet, si zakonisht në këto raste, unë shënova me emër e mbiemër
Diasporë shqiptare në Greqi ka vetëm një: ARVANITËT.
Shqiptarët në Greqi nuk janë gjë tjetër veçse emigrantë ekonomikë
Një miku im, njohës shumë i mirë i mërgatës shqiptare në Greqi më shkruan:
irdita i dashur mik! Lexova komentin tënd për të ashtuquajturën ”diasporë shqiptare në Greqi” dhe pajtohem plotësisht me mendimin tënd. Diçka më thotë se dikush i nxit dhe i organizon këta ”pseudo emigrantë’ për qëllime të tjera…dhe patjetër dikush i financon! Madje njëri mburret se na paska qenë dhe kandidat për deputet në Athinë… Kjo tregon se grekët i paskan dashur dhe i kanë në zëmër emigrantët shqiptarë që tash janë pakësuar kaq shumë, sa nuk i gjejnë jo më të bëjnë ndonjë fshesë por as për punë te rënda që i përdornin duke i shfrytëzuar! Pse nuk thërrasin këta për ata që nuk janë të siguruar megjithëse kanë paguar faturën kur punonin? Por duket që këtej e tutje do të mbrojnë…shqiptarët nga padrejtësitë e vetë shqiptarëve!
Dhe çasti që u ”themelua” kjo organizatë kur marrëdhëniet Greqi Shqipëri nuk janë dhe kaq të mira, më bën të mendoj dhe të dyshoj!
Dua mendimin tënd për këtë, ndonëse e ke thënë me dy radhë. URIME…
Në jetën time si emigrant në Greqi, tash 28 vjet, si gazetar për këtë temë kam botuar disa shkrime, kryesisht në gjininë “fejton”.
Për korrektesë i dërgova njërin prej shkrimeve, shkruar 18 vjet më parë…
VËRTET: A JEMI EDHE NE DIASPORË ?
Në Shqipëri ka një ministri, nga më të parat në sistemin politik pluralist dhe më e fundit në rolin dhe fuqinë e saj. Ajo quhet Ministria e Punës (!), Emigracionit (!),Çështjeve Sociale (!) dhe e Shanseve të Barabarta(!). Në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka një drejtori e cila quhet Drejtoria e Diasporës. Po në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka edhe një institucion tjetër i cili quhet Instituti Kombëtar i Diasporës.
Tek i radhisja këto mu kujtua një mesele e njohur nga të gjithë:
Një aga, që të tregonte se sa vlerë kishte, mbante pas vetes dy shërbëtorë. Herë pas here agai pyeste shërbëtorin që kishte më pranë:
” Çfarë bën ? ”
Shërbëtori i përgjigjej:
” Po rri ! “.
Pasi merrte këtë përgjigje nga i pari pyeste të dytin:
” Po ti çfarë bën ? ”
Ai i përgjigjej
” Po ndihmoj shokun “…
Në një vend me pak më shumë se tre milionë banorë ka një ministri që merret me “Emigracionin”, ka një drejtori që merret me “Diasporën”, ka edhe një institut që merret me “Diasporën”.
Unë e kam njohur personalisht drejtorin paraardhës të Institutit Kombëtar të Diasporës. E kam njohur si gazetar dhe si zyrtar. Si gazetar mund të them se ishte i kërkuar. Si zyrtar mund them se ishte mjeruar. E them këtë të fundit sepse në një bisedë “midis nesh” në Athinë më shprehu shqetësimin se Instituti që ai drejtonte nuk kishte asnjë fond dhe që të bëje një udhëtim të vetëm jashtë shtetit duhet të bëje lutje e lutje pa mbarim ose duhej gjetur ndonjë sponsor brenda apo jashtë vendit për të të mbuluar shpenzimet.
Këtë përshtypje më krijoi edhe drejtori i ri Institutit Kombëtar të Diasporës zoti Flamur Gashi tek lexoja përgjigjet në një intervistë ekskluzive për emigrantët ose, e thënë me fjalët e tij, për diasporën.
Ai thotë se Instituti “merret me evidentimin e diasporës shqiptare kudo që ndodhet në botë, qoftë kjo diasporë e vjetër apo e re”. Për të dhe për Institutin “Diaspora shqiptare dihet mirëfilli se është shpërndarë në disa periudha kohore, duke filluar që nga diaspora më e lashtë edhe para Skënderbeut, por për ne është së tepërmi e njohur diaspora e arbëreshëve të Italisë…”
Që të hulumtoj më poshtë në deklarimet e një drejtori Instituti do të ishte e udhës të hyja në vetë terminologjinë e përdorur. Diasporë është një fjalë që ka hyrë në fjalorin ndërkombëtar nga greqishtja e lashtë dhe si, fjalë për fjalë, po ashtu edhe në përmbajtje ka kuptimin, e “farës së shpërndarë”. Shqiptarët në kushte të caktuara historike, për arsye kryesisht politike ( pushtimet e ndryshme që nga Roma, Bizanti, Perandoria Osmane ) por edhe ekonomike, kanë qenë të detyruar të mërgojnë, të lënë “arat” e tyre pa “farë” për të kërkuar e gjetur “ara” të reja për të hedhur “farën” e tyre. Të njohura dhe relativisht të studiuara janë ikjet e mëdha pas Skënderbeut. Për Institutin Kombëtar të Diasporës “është së tepërmi e njohur diaspora e arbëreshëve të Italisë”. Të tjerat janë vetëm hamendje, shifra të dhëna nga “institucione të larta shtetërore turke në nivel ministrash dhe nga kryeministri”.
Për arvanitasit, shqiptarët që edhe pas shumë shekujsh flasin në familjet e tyre shqip, drejtori i Instituti Kombëtar i Diasporës deklaron: “Me kënaqësi mund t’ju them se para dy vjetësh u organizua java arvanitase e Kosovës dhe ka qenë një aktivitet i mrekullueshëm. Në të morën pjesë edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme” ( ! ) Me sa di unë, përligjur edhe me termin gjerësisht të përdorur në studimet historike dhe në fjalorin e përditshëm, arvanitas quhen shqiptarët e ngujuar para apo pas pushtimit osman në Greqi dhe që kanë luajtur një rol përcaktues në fitoren e kryengritjes popullore greke të viteve 1821-1828 . Po ashtu, nga sa kam lexuar, sidomos nga studiuesi i madh arvanitas Aristidh Kola, por edhe nga sa kam biseduar jo vetëm me pleq por edhe me të rinj arvanitas këta kanë një shpërndarje të tillë gjeografike, në stere dhe në ishuj shumë të madhe. Arvanitas në Kosovë dhe “Java arvanitase e Kosovës” më duket një paradoks, një veprimtari pa kuptim, një montim në hapësira të pa qena.
Në intervistën e tij z. Gashi thotë “Në Greqi kemi dy elementë: Arvanitasit dhe dhjetëra shoqata të shqiptarëve”. Thotë edhe se “ne shqiptarë të diasporës, quajmë të gjithë ata shqiptarë që jetojnë, punojnë e veprojnë në shtete të ndryshme” ashtu siç thotë që në fillim se “Instituti që unë drejtoj merret me evidentimin e diasporës shqiptare kudo që ndodhet në botë, qoftë ajo diasporë e vjetër apo e re”…
Në kuptimin në gjerësi dhe thellësi të këtyre deklarimeve ne, shqiptarët që kemi kaluar kufirin dhe punojmë në Greqi apo edhe në vise të tjera të globit, qenkemi diasporë. Në kuptim të deklarimit të dytë “shqiptarë që jetojnë, punojnë e veprojnë në shtete të ndryshme” atëherë diasporë na qenkan edhe përfaqësitë tona diplomatike në Greqi, Itali, Gjermani, Kanada…pasi punonjësit e tyre ” punojnë e veprojnë në shtete të ndryshme” ( ! ). Për mos me thënë pastaj se elementë të diasporës janë edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e të parëve të tyre shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi e gjetkë ( ! )
T’i quash shqiptarët që në vitet ’90-të, për arsye ekonomike u detyruan të largohen nga Shqipëria, njerëz që kanë në xhep pasaportë shqiptare, nënshtetësi shqiptare, shtëpi, prindër, gra e fëmijë në Shqipëri, vetëm e vetëm se “jetojnë e punojnë” në vende të tjera “diasporë” më duket një cilësim dhe vlerësim fëminor, në mos një budallallëk intelektual i pa tolerueshëm. Kjo, nuk është se e kam dëgjuar vetëm sot nga z. Gashi por e kam dëgjuar edhe nga paraardhësi i tij. Dhe kur e dëgjon nga dy titullarë të lartë të një Instituti Kombëtar atëherë kemi të bëjmë me një vijë që çon ujë në mullinj pa drithë.
Instituti, qeveria, titullarë e cilësdo shkallë nuk ka pse të na quajnë “diasporë” për faktin se ne vërtet jemi një “farë e shpërndarë” por jemi nga ajo lloj fare që ende qëndron në “thes”, ende nuk është hedhë në “ara të huaja”, ende nuk ka gjetur tokën, lagështinë, klimën e përshtatshme për të për tu “mbjellë”, për të mbirë e për të nxjerrë “vëllezër ” siç nxjerr gruri në truall të shëndoshë. Ne akoma, pavarësisht politikës së mbrapshtë shqiptare të këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, atë që marrim këtu e përcjellim në Shqipëri. Tregues për këtë është edhe një deklarim në Kamzë i z. Shaban Memia se kapitali i ndërtimeve pa leje në Shqipëri në zonat e Tiranës, Durrësit etj, kapital i cili është i emigrantëve ( jo i diasporës ) kap shifrën e tre miliardë eurove ( ! ).
Në intervistën e tij z. Gashi thotë se “shteti shqiptar…nuk e di sa shqiptarë jetojnë në Greqi ” Mendoj se në këtë pikë ai ka plotësisht të drejtë. Dhe kjo për faktin se shteti shqiptar ende nuk di (ose më saktë të themi nuk donë ta dijë) sa shqiptarë ka Shqipëria thjesht nisur nga fakti që kanë kaluar 15 vjet dhe ende shqiptarët mbajnë në xhep letërnjoftimin e viteve ’80-të ose certifikatë lindje me të cilat shkojnë edhe para kutive të votimit. Nëqoftëse shteti shqiptarë donë me të vërtetë të dijë se sa shqiptarë ka në emigracion le të pyesë familjet shqiptare, le të pyesë gjendjet civile të Shqipërisë se sa certifikata vetjake e familjare lëshojnë në adresë të emigrantëve, le të pyesë, le të pyesë edhe ambasadat e konsullatat tona në Greqi, Itali, Gjermani etj. se sa vula e pulla venë në certifikatat e kërkuara vit për vit për legalizime individuale e familjare (dhe sa para marrin për këtë), sa pasaporta lëshohen nga përfaqësitë tona diplomatike, le të pyesë… Me siguri, në mos njëqind për qind tek tetëdhjetë për qindëshi i numrit të emigrantëve do të afrohet. Një institucion shkencor që thotë “nuk di këtë e nuk di atë gjë për të cilën është ngritur” nuk ka pse të ekzistojë.
Por ekzistenca e Institutit Kombëtar të Diasporës çuditërisht është e lidhur me politikën, kur duhet të jetë larg, shumë larg saj. Kjo të kujton “boshtin e kuq” që dikur duhet të përshkonte çdo lloj veprimtarie në Shqipëri.
“Ne jemi në pritje të reagimit të diasporave shqiptare kudo në botë dhe pas iniciativës së fundit të qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit “Shqipëria një euro”… Ndoshta ata do të jenë të parët që do të investojnë në këtë vend duke treguar kështu edhe dashurinë e tyre, së pari në rritjen e mirëqenies të familjeve të tyre dhe në zhvillimin e Shqipërisë si shtet”.
Pas këtij “boshti blu” i intervistuari vazhdon:
“Pa dyshim që diaspora shqiptare është një nga diasporat me kapital më të qëndrueshëm në botë dhe ne jemi të interesuar që këtë kapital ta investojmë në Shqipëri. Shqipëria ka nevojë për përkrahjen e tyre dhe ne i kemi dyert e hapura për ta. Do të bëjmë çdo përpjekje për t’i lehtësuar”.
Kush është ky “ne jemi të interesuar”…”ne i kemi dyert e hapura”…”do të bëjmë çdo përpjekje”…, personalisht z. Flamur Gashi, Instituti Kombëtar i Diasporës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme apo ndonjë citim i përvetësuar nga kreu i qeverisë shqiptare dhe i politikës aktuale blu në Shqipëri?
Ne emigrantët jemi shqiptarë, shtetas shqiptarë që nevojat e ditës na kanë detyruar të emigrojmë. Ne djersën që derdhim këtu e grumbullojmë pika -pika dhe e përcjellim pranë familjeve tona, në dheun e të parëve tanë. Ka prej nesh nga ata që kanë blerë shtëpi, madje janë bërë edhe qytetarë të shteteve të ndryshme të botës. Ka djem e vajza që e kanë përzierë gjakun shqiptar me gjak të kombeve të tjera e kanë lindur fëmijë nga ky bashkim. Ka shqiptarë të lindur në vende të ndryshme të botës të cilët nuk dinë të flasin gjuhën e nënës për faj edhe të indiferencës së shtetit shqiptar që nuk ka hapur qoftë edhe një shkollë të vetme për shqiptarët dhe nuk ka mobilizuar qoftë edhe një mësues të vetëm nga një armatë e madhe mësuesish në emigracion për të organizuar mësimin e gjuhës shqipe për brezin e ri, atë brez që një ditë do të “investojë në Shqipëri”. Megjithatë, edhe kjo pjesë e mërgatës shqiptare nuk është dhe nuk ka pse duhet të quhet “diasporë”.
Por sa dhe si është vlerësuar diaspora e vërtetë shqiptare, “gjaku i shprishur” shqiptar siç e quajnë me një shprehje domethënëse shqipe arbëreshët e Italisë ? Është kjo një pyetje që meriton një hulumtim më vete. Ndoshta numrin e ardhshëm…