Nga Skënder Sadri KAPITI
Në Shqipëri në këto 20 vite tranzicioni janë bërë të asahtuquajtura reforma që vetëm sa kanë përkeqësuar duke bërë jo progresin por regresin, madje një regres afatgjatë traumatik, depresiv dhe konfliktual; janë bërë reforma të tilla që ja kanë nxirë dhe sketerrosur jetën qytetarëve; reforma që shteti shqiptar perceptohet sot si nga opinioni i brëndshëm dhe ai ndërkombëtar si një shtet joligjor dhe i prapambetur civilizisht dhe demokratikish.
Të gjitha këto janë pasojë e sundimit të antiligjit apo të ligjit të xhunglës, të sundimit mbishtetëror dhe mbiinstitucional të drejtësisë së mafias, krimit dhe korrupsionit, dhe prej këtij realiteti shqiptarët vetëm e vetëm sa kërkojnë të largohen nga Shqipëria për diku tjetër për të gjetur shpëtimin prej bashkëqytetarëve , padrejtësisë dhe prej shtetit të vet, a thua se janë dhe kjo gjëndje u vjen si mallkim.
Deri më tani ndërmarrja apo bërja e të ashtuquajturave reforma në fakt janë antireforma ose më sakt ishin reforma antipublike, kundërintelektuale dhe korruptive që zbaton politika gjatë sundimit të pushtetit politik, ekonomik dhe juridik të saj, duke abuzuar me pushtetin e që janë bërë në ekonomi, me pronat, privatizimet, tenderimet, në arësim, në shendetsi, në polici dhe në të gjitha degët dhe institucionet qeverisëse ; reforma këto bërë për vjedhjen, mashtrimin dhe spekullimin e kthimit të pronave dhe të kompensimit për padrejtësitë e së shkuarës.
Ky është tranzicioni me reforma e antireforma pazaresh e poshtërsish që ka kryer politika në çdo sferë sociale e qeverisje , produkt i të cilave ka qënë mirëkorrupsioni, krimi, abuzimi dhe vjedhja. Ky është tranzicioni i reformave të ligjërimit të vjedhjes dhe grabitjes së pronave dhe pasurive të të tjerëve, i tjetërsimit të të drejtave të të tjerëve .
Ky është tranzicion i dominuar nga autokrati Sali Berisha i cili është autori i kapjes dhe montimit të sistemit politik të korrupsionit dhe ligjësimit të paligjshmërisë, si tranzicion 20 vjecar i drejtimit të shtetit dhe drejtësisë prej njërëzve të dehumanizuar nga ndjenja e pronës ; tranzicion që u pri dhe drejtua dhe drejtohet nga njerëz pa përkatësi e trashëgimi pasurore dhe pa trashëgimi patriotike e as fisnike; ky tranzicion u drejtua prej njërëzve që nuk ia dinë as kuptimin e fjalës tapi dhe jo më të së drejtës qytetare, pronësore, juridike e shtetërore; ky tranzicion u pri dhe drejtohet prej njerëzve me formësim e botëkuptim hibrid ndërmjet atij patriarkalo-krahino-kanunor me atë komunisto-ateist.
Në krye të kësaj zallamahie e zullumi në këto 20 vite tranzicion qëndron drejtësia politike dhe korruptive shqiptare; kjo avokaturë e mafies politike dhe ekonomike; kjo avokaturë e krimit dhe e korrupsionit; kjo avokaturë e pushtetarëve dhe e të fortëve të pushteteve të korruptuara dhe të korrupsionit të vet. Kjo është drejtësia e sistemit piramidal kriminal të korrupsionin dhe të trafikimit të së drejtës që i ka paraprirë degjenerimit dhe degradimit të shtetit dhe të shoqërisë ; pasi në këtë farë drejtësie, në tërë sistemin e saj, pas rënies së komunizmit, mbetën dhe reforma u bë me dhe nga ata ishprokurorë dhe gjyqtarë të gjyqeve politike dhe nga persekutorët më të zellshëm të diktaturës dhe të luftës së klasave.
Si të gjitha reformat që ndërmori politika, edhe reformën në drejtësi e nisi dhe e bitisi PD,lidershipin e së cilës e kapën dhe e drejtuan ishsigurimsat e shtetit të diktaturës komuniste, të atij ishsigurimi famëkeq të terrorit që i shërbeu verbërisht diktaturës dhe që ka qenë gjykatësi , urdhërdhënësi dhe dirigjenti i drejtësisë dhe mafies komuniste ; atë pseudoreformë e bëri kasta politike, fillimisht e në vazhdimësi reforma në drejtësi është bërë nga pushteti politik PD-isto berishist me gjyqtarë të korruptuar, injorantë dhe me pandjesi humane e shpirtërore.
Përveç kësaj, në emër të pseudoreformës në drejtësi, sistemi u mbush me gjyqtarë e prokurorë të kurseve sezonale; u mbush me juristë me diploma e tituj të blerë që me të tilla diploma këta palo juristë blenë dhe postet më të mira; drejtësia u mbush me profesionistë amoralë e të korruptuar ; drejtësia u mbush me asish juristësh me rekorde kriminale prej atyre të së shkuarës po dhe të këtyre të pas saj; u mbush me shërbëtorë fanatikë e servilë, me lidhje politike, nepotike, krimi, fisnore, kanunore , krahinore dhe me injorantë , militantë e besnikë partie që e degjeneruan dhe e degraduan drejtësinë deri në këtë gjëndje.
Drejtësia shqiptare, institucionet e saj të çdo niveli i shërbyen dhe i shërbejnë politikës, parasë, vjedhjes, korrupsionit dhe tradhëtisë publike e kombëtare, drejtësi kjo, në sistemin e së cilës, në krye të tij është vetëinstaluar e konsoliduar një klikë apo kastë mafioze e fuqishme financiarisht që e ka kapur sistemin politik e shtetin, dhe ka guximin për të bërë gjithçka e çdo gjë duke mos pyetur dhe mos patur frikë as ligjin, as kushtetutën, as shtetin dhe as shoqërinë, madje, drejtësia shqiptare nuk do t’ia dijë as për diplomacitë, institucionet e drejtësisë ndërkombëtare ku shteti shqiptar është pranuar si p.sh GJEDNJ të Strazburgut.
Drejtësia dhe shteti shqiptar i kapur prej saj as që do t’ia dijë për vërejtjet e këshillat e diplomacisë së aleatit tonë të madh SHBA , as të BE ku duam të integrohemi dhe as të OSBE, Helsinkit etj., për domosdoshmërinë e reformave në drejtësi dhe për ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar. Drejtësia shqiptare e ka pronësur drejtësinë , ajo është trafikante e të drejtave qytetare dhe të së drejtës shtetërore.
Drejtësia e padrejtësive në Shqipëri dhe për pasojë korrupsioni gjithinstitucional shtetëror dhe shoqëror e mban peng integrimin , progresin dhe perspektivën e kombit , dhe për ironi të faktit drejtësia, korrupsioni dhe mafia e saj frikësojnë dhe pengojnë edhe investimet dhe investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri. Reforma në drejtësi nuk bëhet pa rolin dhe presionin ndërkombëtrar sidomos të SHBA-ve sepse drejtësinë e ka instaluar Sali Berisha si korporatë fitimprurëse, ambasadori amerikan thotë zarfi por thotë se drejtësinë në Shqipëri e jep thesi i parave.
Pra, drejtësia në Shqipëri nuk e zbaton dhe nuk veret nga ligji por varet çfarë i imponon mafia; drejtësia shqiptare varet nga korrupsioni, trafikimet, krimi dhe nga politika dhe paraja e pisët. Prandaj kjo lloj drejtësia e konsoliduar tashmë në Shqipëri është mafia vetë, dhe si pasojë nuk kam dëgjuar që ndonjë qytetar ta ketë fituar të drejtën në Shqipëri pa ryshfet , pra pa e blerë atë.
Të drejtën dhe ligjin kjo drejtësia shqiptare e ka nxjerrë në anëkand dhe e fiton ai që paguan më shumë.
Drejtësinë në Shqipëri e ka bërë politika dhe pushteti, e ka bërë Kryeministri Berisha dhe atë se si sillej ky kundër institucioneve të drejtësisë që nuk i bindeshin atij verbërisht po kujtojmë një rast të jashtzakonshëm e që ka shkaktuar neveri te publiku i shëndoshë, intelektual e patriotik, p.sh atë që kur e përzgjodhën si Prokurore të Përgjithshme Zonjën e nderuar Ina Rama. Kryeministri foli dhe e ngriti lart në parlament si të aftë e të denjë për ta luftuar krimin e korrupsionin duke e krahasuar me personazhe heroik ndërkombëtar në sistemin e drejtësisë.
Por kur Kryeprokurorja me dinjitet dhe me personalitet moral, intelektual e profesional po kryente detyrën e saj si Institucion i Pavarur me korrektësi, fisnikëri dhe konform Ligjit e Kushtetutës dhe jo sipas urdhërit politik të Kryeministrit dhe jo nën tutelën e tij , kur po hetohej rasti i ngjarjes së 21 Janarit 2011 si dhe korrupsioni i zëvndëskryeministrit Meta, të gjithëve na kujtohet presioni mbi KryeProkuroren për të penguar hetimin si dhe sulmi banal me fjalë të ulta dhe ordinere të tij nëpër mediat shqiptare kundër saj për ta denigruar atë publikisht.
Dihet gjithashtu agresiviteti dhe sulmi i pështirë dhe i neveritshëm me fjalë të ulta edhekundër Presidentit Topi dhe Kryetarit të KLD-së.Kur ky degradim ,shantazh e kërcënim u është bërë Presidentit, Kryetarit të KLD-së dhe ndaj Kryeprokurores ZNJ. INA RAMA të zgjedhur në krye të institucioeve më të larta të Shtetit, të Presidentit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, merre me mend se ku e kishte katandisur Berisha Drejtësinë dhe sistemin, dhe besoj se për publikun do të ishin të mjaftueshëm vetëm këto dy raste , që dihet mirë publikisht, për të vertetuar “moralin” e reformave ne drejtësi të bëra nga ai pushteti i tij ..
Në këtë gjëndje ashtu si tërë shtetin dhe shoqërinë, edhe drejtësinë e solli PD me të cilën padrejtësisht dhe në mënyrën më hipokrite ajo u vetëidentifikua me demokracinë , me rolin e misionin e saj për të vendosur demokracinë në Shqipëri, po që në realitet pas 20 vitesh duket që asgjë dhe asnjë nga premtimet dhe idealet e Lëvizjes së Dhjetorit prej së cilës dhe lindi dhe që kishte si mision PD nuk u kryen , madje edhe mafia komuniste dhe ishkomunistët gjetën strehën dhe mbrojtjen më të mirë nën pushtetin e PD –së duke realizuar e shfrytëzuar mjaft mirë lidershipin komunisto-ishsigurims të saj e duke e manipuluar tranzicionin. Të gjitha nismat në dukje si reforma, të gjitha organizimet politike e sociale dhe strukturat shtetërore dhe ato gjoja antikorrupsion si dhe mediat në Shqipëri kanë në themel e si qëllime të vetme atë të korrupsionit dhe të përfitimit prej buxhetit të shtetit , të parasë publike dhe prej korrupsionit e trafikimit politik.
Por më i korruptuari dhe më kriminali është sistemi gjyqësor, që tallet me sistemin politik(pra me demokracinë), që tallet më shoqërinë dhe qytetarët si një sistem piramidal financiarisht i pisët që trafikon dhe shfrytëzon burimet publike dhe qytetarët shqiptarë.
Durrës, Maj 2011
Shënim:Koha vertetoi dështimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si dhe titullin e këtij shkrimi. Në vitin 2016 , 5 vit pas këtij shkrimi , SHBA dhe BE duke parë se sistemi politiko-juridik në Shqipëri funksiononte si një korporatë simbiotike korrupsioni dhe krimi ia imponuan politikës së Tiranës miratimi e Reformës në Drejtësi, Vetting-un, i cili tashmë po pastron sistemi e drejtësisë dhe po u bën hetimin peshqve të mëdhej të krimit e korrupsionin dhe dënimin e tyre.Ish Kryeprokurorja e Hekurt e Drejtësisë znj. Ina Rama të cilën ishpushteti e sulmoi aq shumë deri duke e lënë madje edhe të papunë , sot ajo është relatore në Komisionin e Posaçëm të Apelit, shkalla e dytë e Vettingut për prokurorët dhe gjykatësit, ndërsa ishKryeministri Berisha është shpallur non grata nga SHBA e Britania e Madhe për korrupsion, si dhe është në arrest shtëpie, po kështu edhe ishPresidenti Ilir Meta rezulton me dosje ishpiuni i regjimit, ishkryeprokurori Llalla është dënuar, si dhe shumë ishministra, deputetë, ministra e pushtetarë janë dënuar dhe po hetohen për korrupsion.
Pra, po shëmbet koorporata politiko-juridike e korrupsionit.