Ballina Politika SPAK do hetojë “21 Janarin”, Rama: Gjykata e Lartë ktheu në jetë...

SPAK do hetojë “21 Janarin”, Rama: Gjykata e Lartë ktheu në jetë shpresën e varrosur për hetimin e dosjes së krimit të egër shtetëror

47
0

“Kthim në jetë i shpresës së varrosur për hetimin e dosjes së krimit të egër shtetëror”. Kështu e ka komentuar kryeministri Edi Rama vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë që urdhëron SPAK-un të hetojë vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm më 21 janar të vitit 2011 para kryeministrisë së drejtuar nga Sali Berisha. Në një reagim të bërë në rrjetin social ‘X’, Rama theksoi se vendimi i djeshëm i hapi rrugën e mbyllur drejtësisë për hetimin e autorëve të krimit shtetëror. “Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë”, shkroi kryeministri. Më tej ai shprehet krenar për kontributin e dhënë nga Partia Socialiste që i hapi rrugën Reformës në Drejtësi. “Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”, shtoi Rama. Ndërkohë kreu i qeverisë pati edhe një mesazh drejtuar atyre që vazhdimisht e kanë akuzuar PS-në se nuk po bënte sa duhej për ndëshkimin e autorëve të “21 janarit”. “Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”, përfundon Rama në reagimin e tij.