Didier Deschamps, trajneri i kombëtares franceze, foli në një konferencë shtypi përpara ndeshjeve miqësore kundër Gjermanisë dhe Kilit: “I kam idetë e qarta për Kampionatin Evropian. Kam një grup bazë prej rreth 20 lojtarësh, natyrisht nëse nuk do të kenë probleme fizike.
Do të kem disa reflektime për 3-4 lojtarë të tjerë, gjithçka varet nga ajo që do të ndodhë nga tani deri në Kampionatin Evropian. Nëse do të kemi lëndime serioze nga tani deri në listën e majit, do të duhet të gjejmë zgjidhje të tjera”.
Këto dy miqësore, kundër Gjermanisë, më 23 mars në Lyon, më pas kundër Kilit, më 26 mars në Marsejë, përbëjnë një nga pikat e fundit të tranzicionit përpara Kampionatit Europian, të planifikuar nga 14 qershori deri më 14 korrik.
Të tjera miqësore janë planifikuar para ndeshjes së parë të Kampionatit Evropian, më 17 qershor kundër Austrisë. Por datat dhe identiteti i kundërshtarëve nuk është zbuluar.
Deschamps flet edhe për menaxhimin e Mbappé nga Luis Enrique: “Elementi i freskisë në një kompeticion të madh është diçka thelbësore. Kësisoji, është mirë që lojtarët të kenë kohën e duhur të lojës, por duke luajtur çdo tri ditë do të ketë lodhje.
Megjithatë, këto janë zgjedhje që i takojnë trajnerit të tij. Kur ai ishte trajneri i Spanjës, me siguri nuk donte që njerëzit të futeshin në punët e tij, kështu që nuk do ta bëj. Shpresoj që tani t’i japë Kolo Mounit më shumë hapësirë…
E ardhmja e Mbappes? Tashmë e kam gjetur veten në situata të ngjashme, me një lojtar që duhej të firmoste për një klub tjetër gjatë një Botërori apo Kampionatit Europian dhe më duhej të hapja dyert për kombëtaren. Unë flas me Kylian dhe me të gjithë lojtarët. Më duhet të flas për situatën e tij, çfarë po ndodh ose mund të ndodhë”.