E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.
Mijëra qytetarë kanë dalë dhe po festojnë favorizuar edhe nga dielli i sotëm që po shkëlqen.
Aktivitete të shumta janë organizuar në Elbasan dhe Tiranë, përfshirë festivalin e ballokumes, performanca muzikore, panaire, ekspozim i makinaver retro etj. Disa rrugë do të jenë të bllokuara.
Edhe Lezha po feston ditën e verës.
Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.
Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Muzikë, interpretime, pikturë dhe lojëra të ndryshme! Në këtë mënyrë po festohet Dita e Verës në qytetin e Lezhës.
Organizimi i bashkisë në kalanë e qytetit e ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të shumtë të cilët po i gëzohen kësaj feste.