Ballina Politika Intervista/ Elton Arbana: Puna ime si kryebashkiak, një mision për një të...

Intervista/ Elton Arbana: Puna ime si kryebashkiak, një mision për një të ardhme më të mirë të Shijakut.

97
0

Përshëndetje z.Arbana. Nga marrja e detyrës si kryetar i bashkisë së Shijakut në gusht 2019, shkurtimisht cilat janë punët e përfunduara në Shijak për të cilat ju krenoheni?

Përshëndetje! Si fillim dua të theksoj se gjithmonë jam përpjekur të punoj shumë për shijakasit, pa u ndalur asnjë ditë. Të punoj me mendje e me zemër duke dhënë më të mirën time.
Dera e bashkisë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për këdo që ka një problem që ne si institucion mundet tja zgjidhim, pa asnjë ndasi politike.
Shijaku nga viti 2019 e deri tani ka qenë gjithnjë në progres. Modestisht më duhet të them diçka që banorët e Shijakut e shohin çdo ditë, si dëshmi e punëve të bëra deri tani, përmend këtu:
27 pallate të rikonstruktuara në çdo apartament nga grantet e rikonstruksionit për mbi 1500 familje, 30 pallate të ndërtuara nga e para, mbi 800 shtëpi individuale, 5 shkolla dhe 3 kopshte të ndërtuara nga e para, rrjeti i Ujësjellësit i sistemuar, Pallati i Kulturës po përfundon, investimi në infrastrukturën rrugore në lagjet e Shijakut, aksi rrugor Shijak-Rrashbull, “Katër rrugët” – Pjezë, të gjitha këto investime të mbështetura nga Kryeministri Rama, Qeveria shqiptare dhe UNDP-ja.

Në këtë periudhë kohore prej 4 vitesh keni mundur të realizoni qëllimet që keni si kryebashkiak dhe premtimet e dhëna për qytetarët e Shijakut?

Me punët konkrete që përmenda më lart kemi mbajtur premtimet dhe madje në shumë gjëra që lidhen kryesisht me rindërtimin kemi mundur të bëjmë dhe përtej pritshmërive të qytetarëve.

Sa dëgjohet zëri banorëve të Shijakut në vendime të caktuara që merrni për qytetin?

Kemi krijuar mënyrat që zëri i qytetarëve të dëgjohet. Për këtë ne realizojmë dëgjesa publike me qytetarët, shpesh bëj dhe takime të drejtpërdrejta me to. Gjithashtu realizojmë dhe pyetësorë të hapur për të gjithë lidhur me mendimin e banorëve se ku duhet të jenë prioritetet e bashkisë. Zëri i çdokujt ka rëndësi për mua dhe duhet të dëgjohet, kur bëhet fjalë për të kërkuar më të mirën për Shijakun.

Përveç rindërtimit cila ka qenë një sfidë që ju e konsideroni të suksesshme?

Sfida lidhet me thyerjen e një mendësie të trashëguar ndër vite për mospagimin me korrektësi të taksave vendore.
Bashkia e Shijakut katër vitet e fundit ka patur progres në mbledhjen e taksave vendore duke krijuar mundësi që të kemi buxhet më të madh për të investuar për Shijakun dhe Njësitë Administrative.

Në mbledhjet me administratën e bashkisë cila është kërkesa kryesore ndaj tyre?

Kushdo duhet të përqëndrohet të japë maksimumin te puna e vet dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si një skuadër. Gjithashtu dhe komunikimin sa më të mirë me qytetarët që gjithmonë e theksoj në mbledhjet që zhvillojmë.

Cilat janë synimet e tua që lidhen me zhvillimin e Shijakut?

Zhvillimi i qytetit vjen nga punë të vogla të përditshme dhe një këndvështrim largpamës. Sfida ime është të kemi një qytet sa më të pastër dhe të menaxhojmë sa më mirë mbetjet urbane.
Gjithashtu me përfundimin e Qendrës Kulturore Multifunksionale kërkojmë të zhvillojmë jetën kulturore e të nxisim të rinjtë për pjesëmarrje aktive në jetën sociale.
Dua gjithashtu të zhvillojmë fshatrat e Shijakut që kanë një natyrë mbrësëlënëse, duke i dhënë një nxitje agroturizmit.

Në Shijak pjesa më e madhe e votuesve zgjodhën Partinë Socialiste. Ju e keni nisur karrierën tuaj politike si kryetar i PS-së Shijak. Ç’mund të na thoni me përfshirjen e të rinjve në Partinë Socialiste?

Jam bërë pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste që në vitin 2009, sepse kisha një ndjeshmëri të madhe për qytetin tim të lindjes (pas kthimit nga Turqia). Për këtë e konsideroja përfshirjen time në politikë si një mundësi e shtuar që të bëja diçka më tepër për komunitetin ku jetoja, pse jo dhe për familjet shijakase.
Dua të falenderoj liderin Edi Rama që besoi te figura ime politike dhe më dha një mundësi për të punuar për Shijakun.

Shijakasit e kanë treguar që dinë të vlerësojnë njerëzit që punojnë. Ata e duan të ardhmen dhe e treguan këtë gjë duke votuar Partinë Socialiste për mandatin e tretë qeverisës.

Partia Socialiste është e hapur për prurje të reja. Organizatat socialiste po punojnë në terren për t’i dhënë mundësi të rinjve, vajzave/grave dhe kujtdo që dëshiron t’i bashkohet misionit të familjes tonë politike, sepse vetëm Partia Socialiste sjell progresin e Shqipërisë.

A keni ju një përgjigje për ata njerëz që shfaqin pakënaqësi për punën tuaj?

Përgjigja është sërish puna. Fjalët dhe pakënaqësitë ne i dëgjojmë dhe mundohemi të përmirësohemi.Duhet të shohim me objektivitet zhvillimin e qytetit dhe të mirat e punëve të realizuara. Shërbimet dhe punët ne i kryejmë për të gjithë banorët njëlloj. Kur bëhet fjalë për të mirën e përbashkët mendoj se Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama kanë mbështetur më shumë Shijakun.
Më e mira është përpara!