Karriera dhe këshillat rreth saj janë vendimtare për të ardhmen e të rinjve, por në Ballkan, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ata kanë burime të ndryshme këshillimi kur vjen puna për profesionin e së ardhmes.
Një anketë e Fondacionit Europian për Trajnimet (ETF) gjeti se të rinjtë që këshillohen nga interneti për karrierën në Shqipëri janë 45.8%, në Greqi (39.5%) dhe Kosovë (36.2%). Këshilla nga prindërit ishin kategoria e dytë më e madhe për orientimin drejt karrierës dhe më tej, miqtë.
Fokus grupet në Shqipëri dhe Serbi folën për rolin e rëndësishëm që ka familja ka në kulturën e Ballkanit Perëndimor në veçanti. Ata thanë se edhe pse prindërit nuk i kanë të gjitha informacionet, përpiqen t’i mbështesin ata në zgjedhjet e karrierës.
Studimi referon se këshillat e prindërve janë më të vlefshme nëse ata janë të shkolluar dhe punojnë. Shumë të rinj në Shqipëri mendojnë se prindërit mund t’i ndihmojnë ata, por gjithashtu mund të pengojnë lirinë e tyre që të zgjedhin vetë karrierën.
Duke qenë se prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në karrierën e fëmijëve të tyre në Ballkan, ETF sugjeron se prindërit duhet të jenë të informuar për trendet dhe aftësitë e tregut të punës në vendet e tyre.
Mësuesit duhet të përfshihen në të njëjtën gjë mënyrë, për t’u bërë partnerë në edukimin për karrierë te të rinjve. Në vendet e zhvilluara të Europës, shkolla është një element i rëndësishëm përsa i përket karrierës.
Sondazhi vuri në dukje se një shumicë dërrmuese e të anketuarve në Europën Juglindore (72.5%) thanë “Duke pasur një profesion që përputhet me aftësitë e mia dhe interesat” është ajo që ka më shumë rëndësi për ta në profesionin e ardhshëm. Kjo pasohet nga “Paga” (53.3%), më pas “Balancimi i punës me jetën personale” (37,5%).
Pjesëmarrësit e fokus grupeve në Shqipëri i panë udhëtimet si mundësi të favorshme të balancimit të punës me jetën personale. Udhëtimi si pjesë e punës do t’i lejonte të eksploronin botën dhe të kenë përvoja të reja. ETF theksoi se kjo zgjedhje e të rinjve shqiptarë është si pasojë e shpenzimit të shumtë të kohës në mediat sociale.
Të rinjtë shqiptarë pëlqejnë të punojnë në distancë dhe të kenë mundësi të përmbushin pasionet e tyre për udhëtimet. Edhe të rinjtë serbë kishin një zgjedhje të ngjashme, ku profesionet që jepnin më shumë fleksibilitet ishin më të pëlqyeshme.
Në mes të transformimeve teknologjike, automatizimit dhe luhatjeve demografike, karakteri i punës po ndryshon. Për shumë njerëz, ky ndryshim sjell rritjen e rreziqeve të papunësisë, pasigurisë dhe punësimit të pasigurt. Të rinjtë janë veçanërisht më të prekur nga paqëndrueshmëria aktuale.
Kalimi nga shkolla në punë është një moment gjithnjë e më kritik që ka pasoja për punësimin e ardhshëm, mirëqenien dhe lidhjen sociale të brezit të ri. Për rrjedhojë, këshillimi për karrierën duhet të kalojë në një stad të ri dhe të ndjekë zhvillimet në tregun e punës./Monitor