Ballina Politika Nga lulet për Elisa Spiropalin, te miratimi i vendimit të pakuptimtë: Çfarë...

Nga lulet për Elisa Spiropalin, te miratimi i vendimit të pakuptimtë: Çfarë ndodhi në Konferencën e Kryetarëve

50
0

Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend nuk ndryshonte shumë përsa i përket kohës nga seancat plenare në Parlament ku shumica miratonte pa debat gjithçka dëshironte.

Në fare pak minuta të dyja palët miratuan vendimin e dakordësuar më parë dhe mbledhja në këtë ditë pushimi zyrtar ishte veçse një formalitet.

Takimi në katin e katërt të Kryesisë së Kuvendit nisi me një buqetë lulesh që Bledi Çuçi ia dhuroi Elisa Spiropalit në emër të Konferencës së Kryetarëve. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin feston sot ditëlindjen.

E vetmja që foli ishte kryetarja Lindita Nikolla, e cila lexoi dy pikat e rendit të ditës dhe hodhi vendimet për votim.

Mes buzëqeshjeve, mazhoranca dhe opozita miratuan kërkesën për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për të dhënat e TIMS dhe koncensionet në shëndetësi. Po kështu u miratua edhe një vendim, i cili nuk thotë asgjë dhe le vend shumë për interpretim.

Nuk bëhet fjalë për një struktrë të re, as për një nënkomision sikundër kishte trumbetuar me të madhe Gazmend Bardhi dhe as për ndonjë grup pune.

Vendimi që ka siguruar Lapsi.al flet thjesht për një shprehje vullneti për të dialoguar politikisht brenda Komisionit të Ligjeve. Një mekanizëm mes shumicës dhe pakicës për konsensus për ligjet që kërkojnë 3/5 dhe ligjet që lidhen me çështje të integrimit europian.

S’ka asgjë të re në këtë vendim, s’ka asnjë fitore të opozitës. Marrja e dy komisioneve hetimore nuk mund të bërtitet si fitore sepse ato ishin dhe janë një e drejtë që ua jep Kushtetuta.

Dakordësia e vulosur sot duket se është thjesht një mekanizëm që opozita t’i rikthehet parlamentit e të heqë dorë nga rruga radikale.