Ballina Politika Nis nga Fieri/ Balluku: Investime për ujësjellës-kanalizimet në qytetet kryesore

Nis nga Fieri/ Balluku: Investime për ujësjellës-kanalizimet në qytetet kryesore

58
0

Ka nisur nga Fieri zbatimi i programit “Infrastruktura Bashkiake  V”, i cili parashikon investime të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të ujësjellës – kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Në ceremoninë e nisjes së këtij projekti, e cila u zhvillua në stacionin e pompimit në Kafaraj të Fierit, zëvendëskryeministrja Balluku, tha se treguesit kanë nisur të përmirësohen, janë rritur arkëtimet, po punohet gjithashtu për mbledhjen e debiteve të mbartura ndër vite, por edhe ngritjen e një stafi sa më efiçent.

Sipas saj janë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale në të gjithë vendin të cilët furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë 24 orë, ndërsa theksoi se numri i tyre do të rritet në fund të këtij viti.

“Me buxhetin 2024 dhe të gjithë paketat e tjera të programeve ne parashikojmë që të shtohen në listën e zonave që përfitojnë ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, 24 orë edhe 13 zona urbane duke e çuar numrin në 46 të zonave urbane, dhe 45 zona rurale duke e çuar numrin në 143 zona rurale të shërbyera 24 orë me ujë, 9 prej të cilave janë zona turistike”, tha Balluku.

Pavarësisht vështirësive me të cilat sektori po përballet, Balluku tha se edhe falë mbështetjes së partnerëve do të ketë një ndryshim të situatës. Ajo falënderoi qeverinë gjermane dhe atë zvicerane, të gjithë institucionet, si edhe Bashkimin Europian, Komisionin Europian për mbështetjen që po i jep Shqipërisë në këto momente përmes programeve të ËBIF dhe IPA.

Shkodra, Lezha, Elbasani, Fieri, Berati dhe Vlora janë qytetet të cilat përfitojnë nga ky program, ndërsa pjesë e tij janë edhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Beratit dhe Shkodrës, si dhe përmirësimi i nivelit të trajtimit të ujërave të ndotur në qytetin e Lezhës.

Në të gjitha qytetet do të përfitohen rreth 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese konsumatorësh dhe rreth 13 mijë matësa të rinj të instaluar. Investimet do ti shërbejnë me rrjet të ri ujësjellësi një popullsie prej rreth 470 mijë banorë dhe rreth 88 mijë banorë me rrjet kanalizimesh të përmirësuar.