Ballina Aktualitet SPAK: Hetimet për koncensionin e sterilizimeve s’kanë përfunduar ende, në ‘sitë’ 2...

SPAK: Hetimet për koncensionin e sterilizimeve s’kanë përfunduar ende, në ‘sitë’ 2 ish-ministra

52
0

“Hetimet për koncensionin e sterilizimeve kirurgjikale në spitale nuk janë mbyllur ende, por janë drejt përfundimit”, tha sot për Zërin e Amerikës, Prokuroria e Posaçme.

I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi ecurinë e hetimeve për sterilizimin, SPAK-u konfirmoi zyrtarisht se hetimet e kësaj çështjeje janë aktualisht drejt përfundimit, por ende vijojnë dhe nuk kanë përfunduar.

Hetimet janë përqëndruar mbi procedurat e dhënies së koncensionit prej 100 milionë eurosh për 10 vjet, pas dyshimeve për shpërdorim detyre, mashtrime dhe falsifikim dokumentash.

SPAK-u ka arrestuar prej 7 muajsh zëvendës-ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, ndërsa mban si person nën hetim ish ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga gushti i vitit të kaluar, kur arrestoi ish zëvendës ministrin Rrjepaj dhe biznemenin Rrapaj, SPAK-u po heton mbi shkeljet e dyshuara në procedurat e koncensionit për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet shtetërorë, i cili iu dha kompanisë SaniService si fitues nga ministria e Shëndetësisë në dhjetor 2015, pra mbi 8 vjet më parë.

Rrjepaj dyshohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim, ndërsa Rrapaj, biznesmeni që fitoi koncensionin, u arrestua nën dyshimet pë mashtrim me pasoja të rënda.

Ndërsa 6 zyrtarë dhe ekspertë, edhe pjesëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave janë po ashtu nën të njëjtat akuza për falsifikime dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e orientoi SPAK-un, që të zgjeronte hetimet edhe për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur dijeni e lidhje për këtë koncension, nëse kanë kryer shkelje ligjore.

Person nën hetim për shpërdorim detyre është edhe ish ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili çdo të premte paraqitet në SPAK për pyetje dhe komunikime të tjera, ndërsa iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.

Ai po hetohet për shpërdorim detyre, ndërsa Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekziston dyshimi, bazuar në faktet penale, që zoti Beqaj ka konsumuar edhe elementë të falsifikimit të vulave dhe formularëve dhe se ai ka qenë në dijeni të plotë të gjithë procedurave dhe dokumentave, ku ka lejuar të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit dhe më pas u zgjodh koncensioni si procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik.

Zoti Beqaj nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa hetimet flasin për fryrje në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ai dyshohet se si ministër i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar.

Ish ministri dyshohet se nuk mori masa për të vënë në punë Qendrën shtetërore të sterilizimit, as nuk vlerësoi nëse funksionimi i asaj qendre, pa ia kaluar koncensionarit, do të ishte më me leverdi ekonomike se sa kontrata e Partneritetit Publik-Privat, e cila parashikon sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale.

Zoti Beqaj dyshohet se nuk ka vepruar për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të cilët kishin njohje prej një kohe të gjatë.

Prokuroria e Posaçme sekuestroi në shkurt disa pasuri të biznesmenit Ilir Rrapaj, 40 për qind të aksioneve të kompanisë SaniService, dy kompani ku ai është aksioner, dy llogari bankare, 13 automjete dhe një apartament banimi.

Ditët në vazhdim mbetet për t’u parë ecuria e hetimeve mbi çështjen, e cila fillimisht u regjistrua para tre vitesh nga SPAK-u si procedim mbi koncensionin e dhënë nga ministria e Shëndetësisë për sterilizimet mjekësore, që përfshin veprat penale “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, si dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, disa nga të cilat nuk shihen deri tani në akuzat për të dyshuarit nën arrest.