Ballina Kronika Trafikonin emigrantë nga Shqipëria drejt Britanisë me avionë kundrejt pagesave prej 10...

Trafikonin emigrantë nga Shqipëria drejt Britanisë me avionë kundrejt pagesave prej 10 mijë paund, kush janë dy shqiptarët në krye të bandës

62
0

Dy shtetas shqiptarë që përdorën një avion për të transportuar ilegalisht emigrantë ekonomikë nga Franca veriore në një aerodrom në Essex janë shpallur fajtorë për kontrabandë me njerëz.

Myrteza Hilaj, 50 vjeç dhe Kreshnik Kadena, 37 vjeç, të dy nga Leyton, në lindje të Londrës, u shpallën fajtorë të premten në Gjykatën Southwark Crown për lehtësimin e kryerjes së një shkeljeje të ligjit të imigracionit.

Dënimet pasuan një hetim tetë-vjeçar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), gjatë një operacioni të koduar “Micropus”, ndaj një grupi të krimit të organizuar shqiptar të përfshirë në lehtësimin e migrimit të paligjshëm, pastrimin e parave, trafikun e drogës dhe furnizimin e dokumenteve të falsifikuara.

NCA tha se të paktën nëntë udhëtime të emigrantëve ekonomikë shqiptarë në 2016 dhe 2017 ishin “të lidhura kryesisht me Hilajn”, ku në tre raste ishin transportuar me avionë të lehtë dhe të tjerë në pjesën e pasme të kamionëve.

Kadena veproi si asistent i tij dhe ishte i përfshirë kryesisht në kontrabandën e migrantëve duke përdorur aeroplanët e lehtë. Piloti i grupit ngrihej nga North Weald Airfield në Epping Forest, Essex dhe  fluturonte për në aeroportin Le Touquet në brigjet e Francës veriore për të mbledhur tre deri në katër emigrantë për t’i kontrabanduar në Mbretërinë e Bashkuar në çdo udhëtim. Emigrantët shqiptarë paguanin “deri në 10,000 £” për tranzit në MB dhe më pas “disa qindra paund shtesë” për dokumente false, tha NCA.