Ballina Aktualitet “Cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit…”, UGSH dënon prekjen fizike...

“Cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit…”, UGSH dënon prekjen fizike të gazetares nga kryeministri Rama: Ishte në të drejtën e saj profesionale

118
0

Kryeministri i vendit Edi Rama është përfshirë në një incident ditën e sotme me gazetaren Ambrozia Meta, e cila po i bënte pyetje. Teksa gazetarja po i drejtonte pyetje në lidhje me Portin e Durrësit, Rama nuk ka pranuar që të përgjigjet ndërkohë që në fund ka deklaruar se ‘Injoranca nuk ka argument’. Po ashtu në këto momente, Rama teksa është larguar nga gazetarët, ka tentuar që të prek në faqe gazetaren, ndërkohë që kjo e fundit i ka kërkuar që të mos e bëj këtë gjë.

Ndërkohë për këtë rast, ka reaguar edhe Unioni i Gazetareve Shqiptare, ku e dënon prekjen fizike të gazetares Meta, duke shtuar më tej se është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik.

Reagimi i plotë nga Unioni i Gazetareve Shqiptare:

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër!
Tiranë më 19 Mars 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024. Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar.
Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve.

Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë